Dy qytetarë kanë deklaruar se janë detyruar të blejnë vetë ushqime, ilaçe madje dhe pajisje oksigjenimi për të mbajtur në jetë familjarët e tyre që janë të infektuar me Covid-19 dhe janë të shtruar në spitalet shtetërore.
Përpara kamerës së Tema TV, qytetarët tregojnë se pajisja kushton 1500 euro dhe ata ia kanë blerë vetë pajisjen, sepse në spitale u është thënë se nuk ka.
Qytetarët pohojnë se gjendja shëndetësore e familjarëve të tyre është përkeqësuar, pasi siç pohojnë ata nuk u është ofruar oksigjenimi i rregullt. Njëri prej tyre shprehet se u jep edhe infermiereve nga 50 mijë lekë në dorë, në mënyrë që babai i tij të mos vuajë dhe të mos keët ankesa për shërbimin.
Pyetje: Çfarë keni aty?
Qytetari: Duhet marrë vetë aparatura. Filtron ajrin, bën 1500 euro. Maskën e kam blerë 200 euro.
Pyetje:A keni garanci që aparati do të përdoret vetëm për prindin tuaj?
Qytetarja: Nuk kemi fare besim. I çojmë ushqime dhe nuk e ushqejnë. Nuk merr vitaminat e duhura, i ka rënë imuniteti. Paguaj çdo infermiere nga 50 mijë lekë. Prindi më thotë më merr të vdes në shtëpi.
Edhe kjo qytetare ka disa ditë që mundohet të marrë informacion për dy prindërit. Ajo ka udhëtuar nga Franca për t’iu gjendur pranë familjarit të saj.
“Babain tim e mora qëparë me Viber. Ju e patë në çfarë gjendje ishte. Nuk shkon dot në tualet, nuk ka një infermiere që merret me të. Unë nuk e solla në këtë gjendje. Ata i kanë lënë aty dhe nuk merret njeri. I shohin që janë 69 vjeç dhe nuk u dhimbset. Ka temperaturë, nuk i japin ilaç. Të më thonë t’ia blej unë ilaçet të gjitha,”– thotë ajo.
Por si mund të ndodhë diçka e tillë? Herë pas here përmes rrjeteve sociale, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe kryeministri Edi Rama, kanë vënë në dijeni qytetarët për furnizimin me pajisje respiratore. Për herë të fundit, 30 respiratorë të rinj iu shtuan spitaleve të vendit në muajin qershor.