Një ngjarje e rëndë u raportua sot nga spitali “Shefqet Ndroqi”, ku një 29-vjeçar i dha fund jetës pasi u hodh nga lartësia.
Mësohet se djali i cili ishte drejt shërimit nga Covid-19, është Xhino Koça, djali më i vogël i dy prindërve të njohur nga Durrësi, stilistes Lira Koça dhe kreut të Njësisë Administrative nr.2 Leonard Koça, raporton `DurrësiLajm`, i cili ka publikuar edhe disa foto të familjes dhe të të ndjerit.
“Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 29-vjeçarit me inicialet Xh. K. i cili i dha fund jetës mëngjesin e sotëm, dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij.
I riu i konfirmuar me COVID-19, po trajtohej prej 4 ditësh në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me terapinë e plotë të mjekimit dhe gjendja e tij ishte e stabilizuar. Lidhur me arsyet që e çuan të riun drejt këtij akti ekstrem, është duke u kryer hetimi nga ana e organeve kompetente. Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron qytetarët se do të vazhdojë të ofrojë me përkushtim dhe profesionalizëm, shërbim shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë“, thuhet në njoftimin për shtyp.