Gjithmone ju kemi informuar dhe vazhdimisht lexojme mbi qytetet më të bukura në botë, të cilat duhet t’i vizitoni të paktën një herë në jetë. Por ndryshe nga heret e tjera kësaj here sugjerimet tona drejtohen nga Shqipëria jonë e bukur, e më saktë Berati.
Agjencia japoneze për turizmin “JATA” ka publikuar se fundmi listën e qyteteve më të bukur në botë ku është edhe qyteti i Beratit ne vend te dy, dhe thuhet se është futur në këtë klasifikim për vlerat arkitekturore e kulturore që posedon.
Duke bërë një përshkrim te Beratit, agjenzia japoneze JATA shkruan: “Mangalemi, qyteti i vjetër i Beratit, shtrihet në brigjet e Osumit dhe është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Në periudhën e mesjetës ishte qytet kufitar i Perandorisë Bizantine, fakt që e dëshmon edhe kalaja e qytetit”. Shtëpitë e ndërtuara njëra mbi tjetrën, që asnjë piktor s’do t’i vendoste dot aq bukur, i kanë dhënë emrin Beratit: “Qytet i një mbi një dritareve”.
Rrugicat e shtruara me kalldrëm, ku mjeshtrit beratas punimin e gurit ua kanë lënë trashëgim brezave më të rinj. Muret e shtëpive janë të ndërtuara me gurë të skalitur dhe shkëlqejnë nga bardhësia e gëlqeres.
Ajri i pastër i pishave përreth, gjelbërimi i tyre i përhershëm, kodrat e veshura me fiq e ullinj, xhamitë e bukura dhe të lashta në qendër të qytetit, ku ndër më të njohurat janë, Xhamia Mbret (1512), Xhamia e Plumbit (1555), Xhamia e Beqareve (1827), si dhe Xhamia e Celebi Hysen Pashes (nipi i Kara Mahmud Pasha) në lagjen Murat Celepias, janë dëshmia që qytetarët beratas si gjithë qytetarët e tjerë të Shqipërisë jetojnë në harmoni me njeri-tjetrin pa dallim feje.”