Ky do të jetë kulaçi më i shijshëm që keni provuar. Ia vlen që ta përgatisni për t’i mahnitur me një shije unike familjarët dhe të dashurit tuaj.
Aroma e freskët e mbushjes me mish të grirë, domate dhe speca të freskët të mbush shtëpinë sapo e nxjerr nga furra dhe e servir. Dhe pjesa më e mirë, petat e kulaçit që janë krokante nga jashtë dhe të buta nga brenda.
Ju tregojmë hapat që duhet të ndiqni për ta bërë tuajën këtë recetë kaq të shijshme të kulaçit me mish.
Përbërësit
Për bazën:
500 g miell
1 lugë gjelle uthull molle
2 lugë gjelle vaj ulliri
1 lugë gjelle gjalpë i tretur
Kripë
Pak sheqer (një lugë kafe)
125 ml ujë i vakët
Një e verdhë veze për të lyer brumin
Miell për të hapur petët
Për mbushjen
4 lugë gjelle vaj ulliri
300-400 g mish i grirë
2 qepë të mëdha të grira hollë
2 thelpinj hudhër të shtypura
2 speca jeshilë të prerë hollë
2 lugë gjelle salcë domateje
Kripë
Piper i zi
Përgatitja
Pasi të keni pastruar tavolinën e punës, sitni miellin dhe formoni një vrimë në qendër.
Hidhni uthullën e mollës, vajin e ullirit, gjalpin e tretur, kripën, sheqerin dhe ujin e vakët.
Punojeni me duar derisa të arrini të krijoni një brumë të butë dhe të lëmuar.
Më pas vendoseni brumin në një tas mbulojeni me qese kuzhine dhe futeni në frigorifer që të pushojë.
Ndërkohë përgatisni mbushjen për kulaçin.
Në një tigan skuqni pak mishin e grirë, derisa ai të ketë marrë një ngjyrë të kafenjtë dhe hiqini nga tigani.
Vazhdoni me qepën dhe hudhrën, derisa ajo të jetë bërë transparente dhe të jetë ulur në volum.
Shtoni specat dhe lëreni në zjarr derisa të skuqen jo plotësisht.
Hidhni mishin e grirë dhe shtoni dhe salcën e domates duke i dhënë shije sipas dëshirës me kripë dhe piper. Sapo mbushja të jetë lidhur hiqeni nga zjarri dhe vazhdoni me përgatitjen e brumit. Ndajeni brumin në dy pjesë të barabarta, dhe hapeni në formën e një pete.
Hidhni të gjithë mbushjen e ftohur duke e hapur me një lugë që të jetë e njëtrajtshme. Përgatisni dhe petën tjetër po në të njëjtën mënyrë dhe vendoseni me kujdes sipër mbushjes. Palosni anët e brumit që latë jashtë tavës duke u siguruar që mbushja të jetë e mbuluar plotësisht. Lyejeni sipërfaqen e petës me të verdhën e vezës dhe piqeni në furrë të parangrohur me 180 gradë përreth 30 minuta. Pasi ta nxirrni nga furra, lëreni disa minuta që mbushja të mpikset, kështu nuk do të prishet forma kur ta prisni. Mund ta shërbeni si një pjatë më vete duke e shoqëruar me sallata me perime të stinës.