Rozë

Dje festoi datëlindjen/ Por për Parashqevi Simaku janë thënë edhe fjalë shumë të këqija: Ajo thuhet se burrat e komitetit…

Nëse shkoni në profilin e Facebook-ut të këngëtares së njohur shqiptare dhe nëse kërkoni pak, do të gjeni foton e një kopertine shkëputur nga një gazetë me titull : Parashqevi Simaku nga Kavaja në Hoollywood.

Parashqevi Simaku - Wikipedia

Është gazeta Zëri i Rinisë e vitit 1993 dhe autorja e atij shkrimi, një interviste, të treguar si narracion jam unë.

Fakti që Parashqevi Simaku vazhdon ta mbajë në arkivin e saj artistik tregon se i ka pëlqyer. Kur u botua, pata rastin të bisedoja me Elena Kadarenë dhe asaj i kishte pëlqyer shumë. Natyrisht që unë e kisha punuar me dashuri, si veproj gjithmonë, për të nxjerrë në pah portretin e një artisteje shqiptare të cilën e donte publiku.

Sot kur jam duke i shkruar këto rradhë, pashë se në faqet e shtypit të Tiranës mjeshtri i famshëm Agim Krajka flet në superlativa për zërin e Parashqevisë dhe « mallkon » ëndërrën e kësaj artisteje për Hollywood-in.

Takimi me Parshaqevinë në New York daton vitin 1993. 22 vite më parë. Skënderi dhe unë ishim për një vizitë në SHBA. Hera e parë që vizitonim SHBA. Qendronim në një qytezë të New Jersey, Elisabeth që ngjante si lagje e New York-ut. Prej andej shiheshin rrokaqiejt dhe ishte jo më shumë se 20 km larg nga 5th Avenue. Ne bujtnim tek miku jonë Petrit Hoxha, një njeri i artit dhe kulturës, që tani nuk jeton më. Prej andej lëviznim nëpër SHBA. Skënderi kishte ftesë edhe nga CBN – The Christian broadcasting Network në Virginia Beach. Ishte maj, mesmaj tamam-tamam. Gjithçka lulëzonte. Për në Virginia Beach morëm avionin nga aeroporti i New Jersey-it Newark Liberty International Airport. Ndërsa në Washington D.C. ku u takuam me stafin e Zërit të Amerikës, udhëtuam me veturë. Aty na shoqëroi Mustafë Demaliaj,një zotëri i nderuar, asokohe kryetar i Lidhjes së Prizrenit për SHBA. Rrugës për në Washington nuk e harroj shiun që binte me gjyma në autostradën e kufizuar prej pyjesh të gjelbër. Prej furisë së atij shiu i marr me mend kur dua t’i përfytyroj edhe hurricanët.

Janë kujtime shumë të bukura. Mbrëmjeve të lira merrnim ftesa prej miqve tanë në restaurantet e shqiptaro-amerikanëve, të cilat janë me emër dhe famë, siç është Familja Bytyçi, shtyllë e patriotizmit, Vatranë të përbetuar që i mbajnë dyert hapur e mirëpresin me bujarinë e njohur shqiptare.

Një natë nga këto na ftuan të kalonim mbrëmje të veçantë në restaurantin ku performonte çdo natë Parashqevi Simaku. Shkuam me shumë dëshirë. Dhe u gjendëm përpara një surprize të bukur, sepse orkestra drejtohej nga mjeshtri i shquar Agim Krajka, në violinë interpretonte gjithashtu edhe bashkëshortja e Krajkës. Kaluam shumë mirë. Diaspora shprehte kënaqësinë duke hedhur dollarë. Kjo traditë jombresëlënëse vazhdon, por për artistët shqiptarë ishte ndihmë e madhe, sepse në Amerikë, ata e kishin nisur gjithçka nga zero. Pikërisht aty më lindi ideja për t’i marrë intervistë Parashqevisë. E cila e pranoi menjëherë.

Skënderi ishte Drejtori i RTSH me një format intelektuali 180 gradë ndryshe nga drejtorët pararendës. Ishte drejtori i parë i këtij institucioni pas rrëzimit të sistemit, ndërsa unë posa e kisha nisur profesionin e gazetares.

Lamë takim disa ditë më vonë në një restaurant të vogël ku Parashqevija drekonte. Hollësitë i kam të shkruara në portretin që ia kam bërë 22 vite më parë. Nuk e harroj menynë e asaj dreke të Parashqevisë. Preferonte asparaguse. Por ajo që na befasoi ishte vetë Parashqevija. Përballë nesh kishim një young lady elegante me një anglishte të përsosur dhe një shqipe si të ishte lindur e rritur në SHBA. Parashqevija kishte vetëm 2 vite në SHBA dhe shqipja me aksent të theksuar amerikan të linte të kuptoje se ajo më tepër donte të ndihej amerikane. Në Shqipëri kishte studiuar Art Dramatik, duke ndjekur gjurmët e këngëtareve më të famshme si Vaçe Zela, Justina Aliaj dhe ëndërra e saj në sirtar ishte Hoollywood-i. Ajo i kishte të gjitha të dhënat për t’ia ushqyer vetes këtë ëndërr, që unë e nxora në pah edhe në intervistën time me të. Sepse ishte shumë evidente, gati e identifikuar me Parashqevinë. Ëndërr që Profesor Krajka tani e konsideron si një makth e ankth. Sepse të hysh në Hollywood nuk mjafton talenti.

Atë drekë që zgjati disa orë biseda jonë shkoi edhe tek jeta private e artistes. Ne gazetarët e kemi të drejtën të pyesim. Unë e pyeta për lidhjen e saj me Luan Pobratin, që njihej si shefi i ish-Sigurimit në Tiranë për artistët dhe intelektualët. Parashqevija ishte tepër e kujdeshme, përgjigjet e saj i merrje edhe si pohime edhe si mohime, por e vërteta është se ajo ka patur lidhje me Luan Pobratin. Se si ishte krijuar kjo lidhje pastaj këtu qëndron problemi.

Parashqevi Simaku ka lindur në shtatorin e 1966 dhe ka dalë për herë të parë në skenën e Festivalit të Këngës në vitin 1983, pra 17 vjeçare. Vinte nga Kavaja, nga një familje e thjeshtë, por e fitoi zemrën e publikut me zërin dhe performancën e saj. A e përdori ish-Sigurimi i Shtetit? Po ish-Sigurimi ishte i plotfuqishëm. Bënte gjithçka. Fuste në burg, pushonte nga puna, largonte nga skena, internonte. Artistet shqiptare të talentuara ishin vulnerabile dhe pa mbrojtje. Ishin pré dhe viktima. Prandaj përpara se të flasim për to duhet t’ia nisim nga persekutorët. Kjo është rruga, rrugë tjetër nuk ka.

Nëse nuk tregoni për persekutorët atëhere mos flisni fare. Le të flasin ata që nisin të tregojnë andej nga duhet. Hapja e Dosjeve do t’ua lehtësojë rrugën, por kush ka ç’të thotë, le ta thotë sepse i ndihmon kujtesës të vuajtjeve që kanë hequr artistët shqiptarë në përgjithësi.

Ndërsa roli moralistëve është i outsider-ve. Mjafton të shikoni ku ka degraduar sot arti shqiptar, kur në qendër të mediumeve vihet lumpeni dhe ku pothuaj gjithçka arrihet permes parasë dhe imoralitetit profesional. Sepse me jetën private çdokush mund të luajë si t’ia marrë mendja.

Rrëfehet Parashqevi Simaku: Jeta ime në Amerikë, brenga që lashë pas

Trishtuese! Shikoni sa ka ndryshuar ikona e muzikës Parashqevi Simaku (Foto) - Gossip

Pse Parashqevi Simaku është miti më i madh shqiptar! - Për mendimin tonë

MË TË LEXUARAT

To Top