Një ekip i një televizioni rus, që po fluturonte me aeroplan mbi tundrat e Siberisë gjatë kësaj vere vërejti një gropë masive, 30 metra të thellë dhe 20 metra të gjerë.
Shkencëtarët nuk janë të sigurt se si është formuar saktësisht kjo gropë e madhe. Ajo është gropa e nëntë e këtij lloji që është zbuluar në rajon që nga viti 2013.
Përderisa shkencëtarët tani besojnë se gropa gjigante është e lidhur me një shpërthim të gazit të metanit, që mund të jetë shkaktuar si rezultat i rritjes së temperaturave në rajon.
“Tash për tash, nuk ekziston asnjë teori e pranuar për atë se si formohen këto fenomene të ndërlikuara”, tha Evgeny Chuvilin, shkencëtar nga Instituti i Skolkovos për Shkencë dhe Teknologji.
“Është e mundshme që ato (gropat) kanë qenë duke u formuar për vite, por është vështirë të caktohen numrat. Pasi që krateret zakonisht shfaqen në zona të pabanuara dhe shumë të paprekura të Arktikut, shpesh ndodh që askush të mos i shohë dhe të mos i raportojë ato”, shtoi ai.