Çmimet e ushqimeve në Shqipëri kushtojnë sa 81% e mesatares së Bashkimit Europian. Të dhënat e fundit e publikuara nga Eurostat tregojnë se Shqipëria ka ushqimet më të shtrenjta në rajon duke lënë pas Serbinë, Malin e Zi apo Bosnje-Hercegovinën.
Më të lirat, ushqimet janë në Maqedoni, me 60% të mesatares europiane. Raporti i Eurostat nuk përfshinte asnjë të dhënë për çmimin e ushqimeve në Kosovë shkruan Euronews Albania.
Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se Shqipëria ka çmimin më të shtrenjtë të mishit në rajon, në nivelin 72% të mesatares europiane.
Pavarësisht se Shqipëria është një vend bregdetar, çmimi i peshkut rezulton më i shtrenjtë se në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria nuk kryeson vetëm në këtë pikë, por edhe tek prodhimet e bulmetit. Çmimi i qumështit, djathit, por edhe i vezëve është pothuajse sa mesatarja e Bashkimit Europian, tregues ky, që dëshmon se Shqipëria prodhimet e bulmetit i ka më të shtrenjtat në rajon.