Shkolla do të fillojë në datë 14 shtator, dhe teksa na kanë mbetur vetëm pak ditë, mjeku Pëllumb Pipero ka dhënë disa ide dhe mundësi zgjidhjeje në rastet kur në institucionet arsimore mund të shfaqen edhe persona të prekur me COVID-19.
Në një bisedë në emisionin ‘Rudina’, mjeku i njohur pohoi se nuk është zgjidhje mbyllja e shkollave nëse do të shfaqen raste pozitiv me virusin Covid-19.
Mjeku infeksionist tha se, “hapja e shkollës është një lajm shumë i mirë. Unë kam qenë pro hapjes së shkollës, madje i përmbahem thënies ‘hapja e shkollave është hapje e shoqërisë’.
Pyetje: Po në rast se raportohet një rast me Covid-19 në shkollë?!
Pipero: Të mos nxitojmë në këtë pjesë, sepse, nëse në shkollë na del një rast pozitiv ndaj Covid-19, nuk është zgjidhje mbyllja. Nuk duhet të mbyllet shkolla, por duhet të gjejmë mënyrat për të izoluar rastin dhe familjen pa ndërprerë procesin. Prindërit duhet të punojnë me fëmijët, t’i kritikojë fëmijët pa i stresuar. Nëse tregoni kujdes për duart, për bankën, nëse respektoni orën e mësimit, pushimet gjithashtu, nëse zbatoni rregullat dhe kufizoni aktivitetet, çdo gjë mund të vijojë normalisht.