“Zemra jem ka ni dishir t’madhë me ardh n’Shqipëni me motrat e mija e me prue këtë dashni dhe kët paqë”.
Me shkrim dore, misionarja shqiptare Nëna Terezë po nxinte letrën drejtuar të fundit president komunist shqiptar, Ramiz Alia.
Në letrën që mban datën 29 tetor 1989, kërkesa e gruas më të njohur shqiptare në botë ishte fare e thjeshtë: donte të çmallej me atdheun e saj dhe të vizitonte v arret e nënës dhe motrës.
Dhe për këtë regjimi i kohës qe treguar fare i akullt duke ia refuzuar disa herë vizën për hyrje në tokën shqiptare.
Pas disa radhëve në letrën e shkruar në anglisht, misionarja e bamirëse nga Kalkuta i adresohet Alisë në shqip.
“Ja kam dhan besën e Shqiptarit Zotit me prue dashni dhe paqë mbi gjithë botën”, shkruante 79-vjeçarja, nami i së cilës kishte marrë dhénë.
Ky është vetëm një nga tri dorëshkrimet origjinale të Nënë Terezës që ruhen në arkivat e shtetit shqiptar.
Bashkë me materiale të tjera arkivore, këto letra do të bëjnë pjesë në shkëmbimet e ndërsjella mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në Maqedoninë e Veriut.