Ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe një nga themeluesit e saj, kompozitori i njohur Limoz Dizdari ka bërë një analizë të asaj që po ndodh brenda Rilindjes dhe për lëvizjet e fundit të ministrave të kabinetit Rama.
Duke komentuar në një intervistë për “Panorama” largimin e beftë të ministres së Arsimit, Besa Shahini, mes të tjerave ai zbulon se kush është Nr. 1 dhe kush drejton realisht në PS. Sipas Dizdarit ai nuk është Edi Rama, por Gramoz Ruçi.
“Te partia, përgjegjës është Gramoz Ruçi. Është ajo që thotë Servantesi në gojën e Don Kishotit: “Çmimi i parë nuk është çmimi i parë, çmimi i dytë është çmimi i parë”.
Në parti drejton Gramoz Ruçi dhe ai ka peshën specifike. Por kthehem tek ajo që thashë më lart, nëse ministrja e ka kryer rolin që duhej të kryente, bën mirë që largohet, është vajzë e mençur për mua! Pyetja është pse e solle?! Me kë e krahason?!
Një vajzë e re, me shumë pak përvojë në arsim, por që është marrë vetëm me projekte, ma sjell ministre Arsimi në Shqipëri?! Është një përgjegjësi e madhe! E vërteta është dhe fakti që të gjitha këto ndodhin këtu në Shqipëri dhe nxitimthi. Nuk është çështje e njëshit apo dyshit, është çështje e një ndërmjetësimi të madh ndërkombëtar. Unë nuk e besoj se është spontan si rast”, ka thënë Dizdari.