Spektakli i bukurisë “Miss& Mister Turizmi 2020”, i cili mbledh rreth vetes të rinj e të reja që pushojnë në brigjet e Adriatikut nuk ka munguar as në këtë sezon të pazakontë turistik.
I organizuar në një nga resortet turistike të Golemit dhe nën masa anti-covid-19, spektakli promovoi përmes të rinjve konkurrentë veshjet dhe vlerat më të mira të traditës dhe trashëgimisë sonë kulturore.
”Pas këtij eventi, presim ditë të bukura. Kemi kaluar ditë të stuhishme prej kësaj pandemie që na kufizoi lirinë dhe na detyroi të ndryshojmë 3 herë datat dhe vendet. Po duke vënë pak zemër ne te gjithë, si produksion, konkurrentët dhe familjarët bëmë të mundur që ëndrrat e tyre të mos qëndronin të fjetura, po të ngjisin shtegun për të arritur kapin majat. Këto e meritojnë më të mirën”, tha Myzejen Konduri, organizatore e Miss&Mister Turizmi 2020.
Ndërthurja e garës mes konkurrentëve me këngë dhe valle ofroi një spektakël dhe për mjaft pushues në zonën turistike të Golemit. Fitues të Miss dhe Mister Turizmi 2020 u shpallën 18-vjeçarët Anxhela Bashanoviç, dhe Regis Kasemi, të dy nga Durrësi, që shprehen të emocionuar për këtë titull.
“Shumë e emocionuar. Një ndjenjë e pakrahasueshme me të tjerat. Të them të drejtën nuk e prisja. Është një eksperiencë shumë e bukur dhe me sakrifica arritëm deri këtu“, tha organizatorja e Miss&Mister Turizmi 2020.
Organizimi i këtij spektakli në bregdet, i mbështetur dhe nga Bashkia Kavajë, pati një ndikim të rëndësishëm në këtë sezon plazhi që vijon dhe pse me numra të reduktuar pushuesish, duke ofruar në distancë argëtimin e munguar. Fituesve të kësaj gare bukurie iu ofruan 6 bursa studimi, 2 nga një universitet jopublik shqiptar dhe 4 nga Universiteti i Qipros.