Lajme

Na nderoi para botës/ Njihuni me vajzën që ka arritur në Kanada atë që nuk kanë arritur burra të mëdhenj: Unë jam shqiptare!

Fluturën e kemi takuar para dy vitesh në njërën nga sallat e parlamentit të Kanadasë, kur ishte pjesë e përvjetorit të 18-të të ardhjes së refugjatëve nga Kosova në Kanada.

118942793_310057023421149_5081747315078885414_n

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ottawa, së bashku me deputetë të Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada- Kosovë, shoqatat e Ontarios dhe me biznesmenë të komunitetit shqiptaro-kanadez, pati organizuar një ekspozitë me imazhe nga pritja që kanadezët kishin ofruar për refugjatët shqiptarë nga Kosova dhe me portretizimin e disa familjeve nëpër vite në Kanada.

Flutura Mazreku vjen nga Rahoveci, e cila së bashku me familjen e saj ka emigruar në Kanada më 1999 gjatë lu ftës së Kosovës. Ka studiuar dhe është diplomuar në Universitetin e Ottawa-s, në degët e Filozofisë dhe Drejtësisë, ndërsa diplomën e masterit e mban nga “Carleton University” për ligjin ndërkombëtar të refugjatëve. Ajo në një intervistë për gazetën “Diaspora Shqiptare” tregon për përvojën e saj në shërbimin publik në Kanada, komunitetin shqiptar këtu dhe sfidat e integrimit të saj, si dhe për situatën aktuale në Shqipëri dhe Kosovë…

Në fillim a mund të na thoni, cila ka qenë rruga e integrimit tuaj profesional në Kanada?

Në moshën 23 vjeçare, unë jam punësuar në parlamentin kanadez si asistente/këshilltare e një deputeti. Në parlament punova 6 vite, dhe gjatë gjithë kësaj kohe studiova dhe diplomova nga Universiteti i Otavës me specializim në Filozofi dhe Drejtësi, dhe nga “Carleton University” me Master në Ligjin Ndërkombëtar të Refugjatëve. Pasi diplomova në master, vendosa të kërkoj punësim, i cili i përshtatet profesionit tim më shume se politika. Prandaj tani jam analiste në Agjensinë Kanadeze të Shërbimeve Kufitare (Canada Border Services Agency).
Para dy vitesh Parlamenti i Kanadasë në mesin e rreth 30 profesionistëve anë e mbanë vendit, ju ka shpërblyer me “Çertefikatë Mirënjohjeje”. Çfarë nënkupton ky vlerësim për ju?

“Certifikata e Mirënjohes” me të cilën më vlerësoi Parlamenti Kanadez ka rëndësi shumë të madhe për mua, për disa arsye. Para së gjithash, mirënjohja është motivimi më i fuqishëm dhe të bënë të ndihesh shumë mirë. Mua personalisht më bëri të kuptoj se i gjithë mundi im nuk ishte i panjohur. Gjithashtu, mirënjohja kishte rëndësi të veçantë për mua pasi që 10 vite më parë sapo kisha arritur në Kanada dhe asnjëherë nuk e kisha imagjinuar të pranoja një gjë të tillë nga parlamenti federal i këtij shteti, i cili na pati pranuar neve shqiptarëve të Kosovës krahëhapur.
Ju shohim aktive në komunitetin shqiptar në Kanada. Cili, mendoni ju, duhet të jetë roli i intelektualëve në komunitet?

Sipas mendimit tim, roli i intelektualëve në komunitetin shqiptar në Kanada duhet të jetë i shumëfishtë. E para, intelektualët shqiptarë duhet t’i promovojnë interesat e Diasporës shqiptare në mënyrë proaktive. Për të arritur këtë qëllim, intelektualët shqiptarë duhet të zhvillojnë marrëdhënie me klasën intelektuale të Kanadasë. Veç kësaj, intelektualët shqiptarë mund ta luajnë rolin e mësuesit në rrethin e Diasporës shqiptare kur u jepet mundësia. Gjithashtu, intelektualët, që nuk janë të paktë, duhet të luajnë edhe rol kritik në avancimin e komunitetit shqiptar. Besoj se ka hapësirë për të gjitha…
Ju rastisi të jeni analiste në Agjensinë Kanadeze të Shërbimeve Kufitare pikërisht gjatë pandemisë COVID-19. Sa do të jetë ndryshe udhëtimi prej një shteti në shtetin tjetër pas kësaj periudhe të vështirë?

Spekulimet rreth COVID-19 dhe efektet apo pasojat e tij janë të shumta. Sipas mendimit tim, bota tanimë ka ndryshuar dhe nuk besoj se do të kthehet në gjendjen që ishte para COVID-19. Besoj se të gjitha shtetet e botës kanë mësuar shumë gjatë kësaj pandemie, dhe si rezultat udhëtimi prej një shteti në shtetin tjetër nuk do të normalizohet edhe për një periudhë të gjatë. Edhe mbylljet e kufijve do të jenë fenomene të zakonshme për një periudhë, të cilën nuk mund ta parashikojmë.
Në dogana vini pas një përvoje në politikë, duke qenë edhe këshilltare e një deputeti konservator. Shikuar nga perspektiva e sotme, cila nga këto fusha ka sfida më shumë?

Secili profesion i ka sfidat e veta, por sipas përvojës sime, politika është profesion me më shumë dinamikë dhe energji. Në fushën e politikës çdo detyrë duhet të përfundohet shumë shpejtë dhe saktë. Për këtë arsye, edhe stresi edhe emocioni janë shumë më të mëdha në politikë se sa në shumë fusha të tjera. Të dy profesionet, për mua, janë profesione të shërbimit publik, dhe unë jam shumë e lumtur për mundësinë që më është dhënë që të shërbej në shtetin kanadez, dhe në këtë mënyrë ta falënderoj për të gjitha mundësitë që ky shtet m’i ka ofruar.
Shikuar nga distanca hapësinore, por edhe nga angazhimi juaj ditor, si e kanë përballuar Shqipëria dhe Kosova pandeminë pas hapjes së kufijve?

Për aq sa kam informata, Kosova dhe Shqipëria e kanë përballur mirë menaxhimin e pandemisë COVID-19. Në fillim kishte numër të vogël të të infektuarve dhe të të vdekurve nga pandemia. Mirëpo, më vonë kur u hapën kufijtë, në Kosovë është rritur numri i të infektuarve dhe i të vdekurve. Mund të them se në Shqipëri ka qenë gjendja më e mirë. Pse ka ardhur deri te ndryshimi i shpejtë i gjendjes nuk besoj se kam informata të mjaftueshme për të dhënë ndonjë konkludim. Megjithatë, duke patur parasysh gjendjen në Kanada, mendoj se veprimi efikas i institucioneve kompetente, por edhe respektimi i rregullave nga ana e qytetarëve, është shumë i rëndësishëm për të parandaluar përhapjen e pandemisë, gjë që edhe ja kanë arritur deri në një farë mase.
Mendoj se rrëzimi i qeverisë në Kosovë pikërisht në pikën kritike të shtimit të rasteve me virusin vdekjeprurës, ka patur impakt negativ, sepse është vështirë të lihet diçka e sukseshme në gjysmë të rrugës, dhe të vazhdohet nga të tjerët dhe të mos dalin vështirësi në rrugë e sipër, aq me tepër kur dihet se Kosova ende nuk ka institucione stabile që janë në gjendje të përballojnë sfidat në situata emergjente. Unë i kuptoj vështirësitë e vendeve me demokraci të brishtë, ku fruthi politik po shndërrohet në pandemi dhe po e pengon përparimin dhe zhvillimin e vendit. Edhe në Kanada ka patur kritika të opozitës rreth masave të institutioneve qeveritare për pandemine, por asnjëherë nuk është kërkuar rrëzimi i qeverisë sic ndodhi në Kosovë. Fatkeqësisht në situata të tilla kërkesa për rrëzimin e qeverisë është më tepër lojë politike për karrige pushteti se sa dëshirë për të ndihmuar vendin.

118860979_2850115608569627_2431648061910669382_n

MË TË LEXUARAT

To Top