Të frymëzuar nga sekretet e pjellorisë së deltës së Nilit, ekspertët kanë krijuar një përzierje argjile, uji e dheu të zonës për të kultivuar fruta në shkretëtirë.
Marsin e këtij viti, teksa bota niste mbylljen nga Covid 19, mbeti jashtë vëmendjes përpjekja për transformim të jashtëzakonshëm që po ndodhte në një cep të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Tani, brenda vetëm 40 ditësh, një copë toke që më parë mbulohej nga rëra, është arritur të mbushet me shalqinj, që janë rritur me shpejtësi nën rrezet e forta të diellit arab.
Për një vend që importon 90% të produkteve të veta të freskëta, ishte një arritje e jashtëzakonshme.
Toka e thatë e shkretëtirës arabe kishte arritur të kthehej në një fermë frutash vetëm me ndihmën e një spraji që përmban ujë e argjilë. Nuk ishte e thjeshtë në fakt: këta shalqinj u rritën falë një lëngu ‘nanorgjilor’, një teknologji që nisi të eksperimentohej në perëndim dy dekada më parë.