Leximi

Ja si u gjetën letrat e fsheta/ Në to tregohet si u mor për të ndërtuar Kishën e Laçit, aty kanë ndodhur me mijëra mrekulli dhe janë shëruar mijëra shqiptarë

Krahina e Kurbinit, ndonëse e shtrirë në një territor gjeografik jo gjithaq të madh, ka mjaft monumente të arkitekturës, ku veçohen 4 kështjella dhe 35 kisha, shumica prej të cilave në gjendje rrënoje.

St. Anthony Church, Laç - Wikipedia

Në fshatin Laç të dikurshëm (sot qyteti me të njëjtin emër), ka pasur disa monumente dhe vende me interes historik dhe arkeologjik sikurse Kështjella e Sebastes, Kodra e Divës, Kodër-Bogëza, Kisha e Zojës Nunciatë (sot kisha e Shna Ndoit) dhe Kulla e Kolë Pashës. Në gjendjen e sotme me keqardhje mund të thuhet se dy monumente e fundit nuk ekzistojnë. Kalaja e Laçit i përket si ndërtim antikitetit të vonë që mbijetoi edhe në mesjetë.

Muret e rrethimit fortifikues të kështjellës së Sebastes e cila shërbente si pikë kontrolli në rrugën Dyrrhachium-Lisus-Scodrae, bazuar në teknikën e ndërtimit me gurë kuadratikë si dhe fragmentet e qeramikës me vernik të zi të gjetura brenda saj, e datojnë atë si kala të fundit të shekullit të 4-ërt dhe fillimit të shekullit të 3-të. Sipas një mbishkrimi sepulkral nga burimet antike të shek. I, ku përmendet LUPUS PARTHINUS EX LATIO, mendohet se kjo kështjellë i përket qyetit LATIUM, i cili identifikohet si vendndodhje me Laçin e sotëm.

Përftimi i kishës mes legjendës dhe fakteve
“ Sipas legjendës popullore, etërit françeskanë në fillesat e urdhërit të tyre, më të mbërritur në Arbëri në shekullin XIII, menduan të ndërtojnë kishën dhe kuvendin në afërsi të kalasë, ku dikur ishte qyteza antike. E ndërsa punonin ditën, të nesërmën në mëngjes materialet e ndërtimit nuk i gjenin aty, por në afërsi të shpellës së Shën Vlashit, përballë kalasë në kodrën ngjitur. Kjo histori u përsërit disa ditë radhazi sa jo vetëm u bë pengesë për vijimin e punimeve, por mbi të gjitha bëri habi mënyra e pashpjegueshme dhe e mrekullueshme e trasportimit të materialeve për gjithë natën. Pamundësia njerëzore e kryerjes së këtij transporti u nënkuptua si mister për të cilin kishte dorë vetë Provania Hyjnore, ndaj dhe etërit françeskanë gjykuan të mos shkojnë kundër këtij vullneti, ndaj vendosën të ndërtojnë kishën në kodrën përballë, mu aty ku gjendeshin materialet ndërtimore çdo mëngjes. Dhe ashtu u bë. U ndërtua Kisha e Shna Ndoit të mrekullive.“

Në veri-lindje të qytetit të Laçit, në faqen perëndimore të malit të Kurbinit, në faqen jugore të një kodre shkëmbore gjendet Kisha e Shna Ndoit të Padovës, dikur kisha e Shën Mërisë Nunciatë, Kuvendi françeskan dhe Shpella e Shën Vlashit. Dikur mund të ketë qenë kuvend i benediktinëve, të cilët pas largimit të tyre, ua lanë kuvendin françeskanëve. Prej vitit 1349 dokumentet e përmendin si Kuvend Noviciati, për sa kohë „…ishte gjallë provinca françeskane e Epirit“ ku fretërit që i përgjigjeshin vokacionit/thirrjes kishtare nisin udhën e tyre e përgatitjes së tyre shpirtërore për karrierën kishtare në gjurmët e urdhërit të Shën Françeskut të Asizit. Kjo kishë konsiderohet si vend i shenjtë për shkak të devocionit popullor që mbart dhe përcjell, madje përbën vendin më pelegrinazhin më të madh dhe më të rëndësishëm në Shqipëri dhe jo vetëm, ku përgjatë trembëdhjetë të martave kushtuar këtij Shenjti, në periudhën e pranverës deri më 13 qershor, këtë shejtnore e frekuentojnë sikurse thuhet rreth 2 milionë pelegrinë të të gjitha besimeve anëkënd vendit.

Kisha sikurse e thamë në krye të herës i ishte kushtuar Zojës Nunciatë (25 mars), njëkohësisht Pajtore e Provincës Françeskane Shqiptare, emër i njëjtë ky që kishin marrë edhe simotrat e tjera të njëkohshme të kësaj kishe në Kodër Marlekaj (Lezhë) dhe në Kep te Rodonit (Durrës). Më vonë filloi të quhet e Kisha e Shna Ndoit të Padovës (13 qershor) bazuar në përhapjen e devocionit të këtij shenjti në popullsinë e krishterë, por edhe atë myslimane.
Kjo kishë del në dokumentacionin historik për të parën herë në vitin 1557, kur qe shuguruar nga ana e Arqipeshkvit të Tivarit Imzot Gjon Brunit (Johannes Brunius), teksa ky i fundit sapo ishte kthyer nga pjesmarrja në punimet e Konçilit të Trentos. Në një mbishkrim në faqen e brendshme të murit ballor të kishës konfirmohej ky fakt:

Mark Skura në relacionin e vitit 1641 shkruan: /Dioqezi i Krujës/

“Ka Shën Mërinë e Sebastes, kuvend i fretënve minorë observantë të Shën Françeskut, të plotë, në gur të gjallë me 3 altarë dhe me vorrezat pranë vehtes. Ajo ka vneshta që qesin ngandonjëherë 50 skudë vjetorë. Aty asht shpella e shna Vlashit, ku qe kapë prej njerëzve të Agrikolaut, larg një të tretë mili nga qyteti i thanun i Sebastes”.
Ndërsa i njëjti relator në vitin 1644 shkruan:

“Ka Shën Mërinë e Sebastes, kuvend i fretënve minorë observantë të Shën Françeskut dhe kishë famullitare e fshatit të Laçit, Kasianens krejt të plotë, në gur të gjallë dhe e mbulueme me tjegulla, e cila ka 2 kumbonë: ka vneshta që qesin dy fuçi venë: ka ara për të mbjellë por me dobi të paktë. Të nënshtruemit e saj [janë] turq felëshues: frymë të krishtena – 390”.
Fretërit e Kishës së Zojës Nunciatë, asokohe i bënin shërbim fetar edhe kishës së Shën Mëhillit në Shullaz, (sot Mal-Bardhë), pjesa ma e madhe ende katolikë dhe asaj të Shën Nikollit në Milot, që kishte pak banorë, shumica e të cilëve ishin islamizuar. Këtë na e thonë Imzot Mark Skura si dhe vizitatori apostolik apostolik Dom Shtjefën Gaspari i cili në relacionin e tij të vitit 1672 thekson:

“Me 15 të[muajt] të sipërthënë, nisur prej Bazit mbërritëm në Sebaste, kuvend i Etërve Observantë. Kishën e kanë me titullin të Nunciatës, është e mbajtur në rregull, ka mjaftueshëm orendi të shenjta e sa për material është në gjendje të mirë. Është kishë famullitare në Dioqezën e Durrësit. Nuk mbahet Sakramenti, megjithëse nuk ka rrezik prej turqve. Janë nën kujdes [fetar] të saj 25 shtëpi katolike duke përfshirë Laçin, Milotin, Shelasin [Shullazin], të krishterë 272. Tani [këtu] janë katër etër: Atë Bonaventura Guardian, Fra. Aleksandër Luçi, Fra Mark Luçi, Fra Toma prej Pëdhane. Në këtë kuvend nuk mbahet kori, por në të vërtetë oficen e thonë dy tre bashkë, por secili ka diçka të veçantë”.

Duhet thënë se At Lekë Luçi (asokohe Ministër Provincial i Shqipërsisë), në një letër të arqipeshkvit të Durrësit Imzot Mark Skurës, drejtuar Imzot Francesco Ingoli-t, ishte propozuar të emërohet ipeshkëv i Pultit. Vizitatori Imzot Vinçenc Zmajeviç në vizitën parakuvendore të Arbënit në vitin 1702 na rrëfen se në Sebaste (Laç);
“Është kuvendi i etërve observantë, e vetmja mbeturinë e qytetit me këtë emër: [Kuvendi] është i ndërtuar me mure të shëndosha në trajtë të kuvendeve të vogla të Italisë, me një bujtinë (dormitorio), tetë dhoma dhe gjëra (komoditete) të tjera që u nevojiten rregulltarëve. Ka kishën me pajtore Shën Mërinë, të shuguruar më 1557 nga Gjon Bruno, kryeipeshkëv i Tivarit, me katër altarë: i Shën Mërisë altari i madh, i Shën Prendes, ai në anën e Epistolës, ai i kryqit në anën e Ungjillit dhe, po në këtë anë, në mesin e kishës, ai i Shna Ndout: që të katërt mbahen me pastërti rregulltare (besimtare) dhe janë të furnizuar me stolisjet e shugurueshme. Ka dy kore, njërin para altarit të madh dhe tjetrin, më të hapët (të gjërë) përmbi portën kryesore. Nuk kryhen aty funksionet e tjera besimtare veçse ato të meshimit të etërve. Këta, në kohë të tashme janë katër: Atë Nikolla nga Kallmeti guardian, 42 vjeç dhe tash 20 vjet është rregulltar, A. Thoma nga Pëdhana definitor, 52 vjeç dhe tash 32 vjet është rregulltar, A. Pjetri nga Kodheli 30 vjeç dhe fra Françesku nga Shiroka, klerik profes (lajko) në moshën 25 vjeçare”.

Në këtë kuvend tregon se gjendeshin edhe tre seminaristë për t’u bërë priftërinj (meshtarë) ose shekullarë. Me sa duket këtu i kishte dërguar Imzot Gerard Gallata, asokohe me Seli në Shën Prende të Kurbinit. Se kur ka filluar të quhet me emrin Kisha e Shna Ndoit, këtë nuk mund ta themi me saktësi, por mendojmë se kjo është titulluar nën këtë pajtor me sa shihet në fundin e shekullit XVIII ose fillimin e shekullit XIX, me stabilizimin e devocionit dhe nderimit për këtë Shenjt, me ndërmjetësinë e të cilit shumë besimtarë kanë gjetur plotësimin e nevojave shpirtërore, sidomos në shekullin XX, sepse përgjatë shekullit XVII, kisha del vazhdimisht në relacionet dërguar Selisë së Shenjtë, nën pajtoren e Shën Mërisë.

Është interesante hipoteza se kopja e vetme e “Mesharit” të Buzukut, bazuar në anëshkrimet e bëra në faqet e tij, me sa duket nga klerikët vendas, mendohet të ketë dalë nga Laçi, sepse, gjykuar nga emrat e këtyre anëshkrimeve na del se në fillim të shekullit XVII emrat e këtyre meshtarëve, bazuar në relacionin e Marin Bicit të vitit 1610 shërbejnë në famullitë e Ipeshkvisë së Arbënit nga Kurbini deri në Durrës. Duhet thënë se autori i kësaj hipoteze Dhimitër Shuteriqi mendon se libri i Buzukut ishte vënë në indeksin e librave të ndaluar dhe bash për këtë fakt ai u konfiskua nga vizitatori Bici, për të përfunduar më pas në Romë. Më duhet të sqaroj se Shuteriqi gabimisht e përcakton Laçin si qendër ipeshkvore të Ipeshkvisë së Randësisë, e cila mbi bazën e dokumentacionit nuk na ka rezultuar të ketë ekzistuar si e tillë.
Në perëndim të kishës, rreth 50 metra larg saj dhe rreth 30 metra nën nivelin e saj, sepse vendi aty është i thikshëm, në një shkëmb gjendet shpella e Shën Vlashit, e cila vizitohet shumë nga pelegrinët. Njoftimet e para për këtë shpellë i kemi nga Mark Skura, 1940, 1950, Lovro Mihaçeviç etj. Hyrja, e cila është e gjerë rreth 2 metra dhe e lartë rreth 4 metra, niset në formën e një strehe dhe më tej vjen duke u ngushtuar deri sa përfundon në një vrimë të ngushtë. Në brendësi të saj në thellësi ka një elter të vogël bërë në shkëmb. Gjithashtu në muret anësore ka disa vizime e stolisje me bojë, pa një domethënie me interes historik.

Sipas gojëdhënës popullore, këtu ishte fshehur Shën Vlashi (316) prej ushtarëve të sundimtarëve vendas. Kjo gojëdhënë lidhet me kapjen e tij në Sebaste të Armenisë në malin Argaeus. Në fakt At Shtjefën Gjeçovi O.F.M. ka bërë një studim polemik me titullin “Sebaste n’Armeni apo n’Arbeni”, botuar në revistën Zani i Shna Ndout në vitet 1921-1922. Gjithsesi, ne nuk kemi të dhëna historike, të cilat mund të provojnë vërtetësinë e pohimit në fjalë. Gojëdhëna ka ardhur herët dhe është mbajtur gjallë, duke u vulosur në toponomastikën vendase si dhe duke tërhequr edhe debatin, sikurse bëri Shtjefën Gjeçovi O.F.M. Thuhet se eshtrat e Shën Vlashit qenë në fillim në Sebaste të Arbënisë, prej nga ku u çuan në Raguzë me ardhjen e parë të turqve. Më ardhjen e dytë të turqve shumë relike dhe orendi kishtare u bartën e u dërguan në Bari të Italisë. Ky kuvend u rrëzua nga tërmeti i vitit 1853, edhe pse funksionoi sikurse thuhet deri në vitin 1858, vit kur edhe vdiq frati i fundit Atë Jak Bosnesi O.F.M. Në tetor të vitit 1944, hospici u dogj nga gjermanët, për t’u rindërtuar sërish më pas.

Kisha tashmë e humbur
Kisha Shën Mërisë (më vonë e Shën Antonit), ishte një ndërtesë njënefëshe mjaft e thjeshtë në pikëpamje ndërtimore e ndërtuar me gurë të bardhë gëlqerorë vendi, me gëlqere dhe rërë shtufi si dhe ishte e shtruar me rrasa guri ndërsa çatia ishte mbuluar me tjegulla. Ajo ishte ndërtuar duke iu përshatur terrenit tepër të thyer e shkëmbor ngjashmërisht me ndërtimet e kishave të periudhës paleokristiane. Sipas At Donat Kurtit O.F.M. „Përshtypja e parë për atë qi hin në kishë, âsht se i duket si me u gjetë në një Kishën nën dhè. Shtroja e saj me rrasa të mëdhaja gurit e ndame në sheshe të ndryshme si dhe elterët e mbushun me gur gëlqere janë gjith veçanërija e saj arkitekturore. Tuj kênë mali i përbâm prej nji guri të fortë, e tuj mos u gjetë ndo’i shesh sado i vogël aty afër, fretent, mbasi i kanë ndertue muret e Kishës, e kanë zgjedhë çashtjen e sheshit tuj e nda shtrojen e Kishës në trì sheshe me nivel të ndryshem e tuj i lidhë me shkallë gurit mjaft të nalta.

Këta sheshe janë të shtueme me rrasa kanddrejta a edhe me gurë të dhênun.“ Sipas At Marjan Prelajt O.F.M, kisha kishte përmasat dikund rreth 14×7 metra, ndërkohë që përmasat më të sakta është kujdesur të na i sjellë At Donat Kurti O.F.M. sipas të cilit: „Kisha nuk âsht e madhe. Ajo e matun perjashta, âsht (13 m) e gjatë me nji absidë katrore (4.50 m) gjatë, kisha âsht e gjanë (9.50 m) e naltë (6.50 m). Prejse i veshet malit kà rreth e qark të çueme e t’uluna, ajo duket edhe mâ e permbledhët se âsht.“ Muret e kishës kishin një trashësi prej 90-95 cm. Në faqen ballore para derës e cila përfundon në trajtë gjysëm harku në krye, e që ka gjërësi 1.34 metra dhe lartësi 2.90 m, kishte dy shkallë guri drejtkëndore rreth 15 cm, me të njëjtën gjatësi sa gjërësia e derës, përmes të cilave hyhej brenda në kishë. Një pamje mjaft të plotë e të qartë të hyrjes së kësaj kishe e kemi në vitin 1936, nga avokati, diplomati dhe njëkohësisht autori gjerman i ngarkuar me punë në Shqipëri (1931-1934), Erich von Luckëald, fillimisht si drejtor i zyrës shqiptare të Partisë Naziste (NSDAP) dhe më pas si ambasador i Rajhut gjerman në Shqipëri i cili ka publikuar një fotografi në librin e tij: Albanien: Land zëischen Gestern und Morgen (Shqipëria: Vendi midis të djeshmes dhe të sotmes), Mynih 1942. Po në fasadën ballore, sikurse është përgjithësisht traditë në kishat françeskane, mbi derë sikurse shihet qartë në këtë fotografi, kishte një të futur/golle në mur në formë dritareje pa dalje drite brenda në kishë, në përmasat 70x 77 cm dhe thellësi 8 cm, e cila me siguri shërbente për të vendosur ikonën e shenjtit pajtor të kishës ose të ndonjë shenjti tjetër. Sipër saj ishte dritësorja në trajtë rrumbullake me diametër 1 metër.

Kisha gati deri në gjysmën e saj (rreth 6.8 m), një lloj plateje, mandej vinin sërish dy shkallë të tjera guri të gjata, aq sa gjerësia e kishës e në lartësi prej 48 cm, të cilat krijojnë një sheshpushim të vogël 2.90 m, e më pas përmes 4 shkallësh të larta rreth 40 cm secila, mbërrihej në presbiter, anash të cilit për të dalë tek elteri i madh, i cili sikurse thamë në fillim ngushtohej bashkë me kishën për arsye të përshtatjes me terrenin shkëmbor. Ishte një ndërtim karakteristik i veçantë sipas natyrës fizike të vendndërtimit. Në vitin 1965, dy vjet përpara se të shkatërrohej, këto shkallë u hoqën dhe vendi u nivelua. Kisha ishte e shtruar me rrasa të gdhendura. Ajo kishte dy dyer, njëra në hyrjen ballore dhe tjetra që komunikonte me kuvendin. Vlen të sjellim një përshkrim relativisht të thukët të bërë nga At Marian Prela i cili thekson se: „Kisha e Sebastes, si ndërtesë, o vepër arti, nuk kà asnji vlerë, por, sikur të gjitha Kishët e vjetra të Shqypnis, në atë gjendje gjindej edhe kjo; Kishë e vogël, mure të gjana e të parregullta, mbloje e thjeshtë, pà tavan, e ultë, elterët veç sa me u thirrë elterë, shtroja me rrasa gurit të trasha të vueme pà mjeshtrì, shkallat gurit, jashtëzakonisht të nalta.

Vetëm si antikitet pat Kisha njat shkrim që diftohej se kisha kje e shugurueme, si edhe shkrimi i At Gjon Koleci, kruetan, qi bani riparime në kishë. Shihet kjartas se punimet në atë kishë ishin bame pà kurrfarë studimi e me pak art, por, punue si kje koha e vorfnia fraçeskane.“ Në vitin 1962 u hap një tjetër derë, e cila shërbente për të lidhur kishën me hotelin/ndërtesën bujtinë dykatëshe ndërtuar në vitin 1956. Kisha kishte dy dritare anash e një rrethore në fasadën ballore, ku më pas u vendos një kambanë e vogël me peshë dikund rreth 12 kilogramë. Në veri të kishës gjendeshin shumë themele ndërtesash midis të cilëve ata të kuvendit të vjetër françeskan. Në kohën kur ishte famullitar dhe njëkohësisht rektor i Shejtnores At Klement Miraj O.F.M, në të djathtë të shejtnores pat ndërtuar një ndërtesë të thjeshtë me kolona druri në përmasat 28x 10 metra, të mbuluar me tjegulla për të strehuar gjatë natës së Shna Ndoit shtegtarët që vinin prej larg.

Në vitin 1956/7, kur rektor ishte P. Filip Mazrreku O.F.M, u ndërtua një ndërtesë e madhe dykatëshe, një lloj bujtine në përmasat 30 x 8 m, për shtegtarët pelegrinë, të cilët mund të kalonin aty natën. Mjaft punime në kishë dhe në kuvend u bënë nën drejtimin e P. Mark Papajt O.F.M, në vitin 1961. Para kishës, ishte një oborr i gjërë, në fund të të cilit kishte parmakë betoni ndërtuar në kohën e P. Klement Mirajt O.F.M. Në mes të oborrit ndodhej një pishë e madhe shekullore. Në qershorin e vitit 1966, seminari dhe mjediset e kishës dhe kuvendit u deklaruan “zonë e ndaluar ushtarake” dhe në shkurt të vitit 1967, vendi i shenjtë u përdhos e kisha u hodh në erë me din amit duke u rrënuar plotësisht në vitin 1971.

Kisha në gjendjen e sotme është ndërtuar falë kujdesit të Antonian-it dhe të fretërve të Bolonjës, të cilët vendosën gurin e parë në mars të vitit 1992, dhe bekimi solemn i saj u bë nga ana e Arqipeshkvit të Durrësit dhe Tiranës, Imzot Rrok Mirditës (1939-2015), më 2 maj 1995. Në tetor të po atij viti u pranuan për herë të parë reliket e Shën Antonit të ardhura nga Bazilika e Padovës, ku ruhet dhe nderohet trupi i këtij Shenjti. Pas dy vite e gjysëm punë, më 9 maj 2004 u inaugura Kuvendi Françeskan nga Imzot Rrok Mirdita, çfarë do të thotë se prej këtij çasti në këtë vend vijon prania e bashkësisë rregulltare françeskane.

Kisha e Shna Ndoit ka qenë në të vërtetë monumenti i arkitekturës së shpresës dhe njëkohësisht një sfidë e vërtetë për diktaturën komuniste në Shqipëri, sepse me ndalimit me ligj të frekuntimit të institucioneve të kultit dhe shpalljen sikurse dihet të Shqipërisë si vend ateist, ajo vijoj të frekuentohej nga besimtarët fshehurazi, çfarë e detyroi regjimin e atëhershëm ta kthejë këtë kishë në zonë ushtarake, vetëm e vetëm për të ruajtur imazhin e shpërfytyruar që i bënin shqiptarët shtetit të tyre lidhur me besimin.

Historitë e mrekullive të Kishës së Laçit – AktivPress

MË TË LEXUARAT

To Top