Në një fjalim të mbajtur në Parlament në Prill 2019, deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi, aktualisht Ministre e Arsimit, citoi nënsekretarin Amerikan të Shtetit, Matheë Palmer, i cili e cilësoi reformën në drejtësi dhe vetingun si një “element shumë të rëndësishëm për të rritur besimin e qytetarëve tek institucionet…”.
Natyrisht, për Kushin dhe të gjithë kolegët e saj në Parlament, Vetingu është një masë shumë e mirë për të pastruar drejtësinë. Por, askush, as ajo dhe as bashkë-partiakët e saj nuk marrin përsipër që të kryejnë një lloj filtrimi, të njëjtë si gjyqtarët e prokurorët.
Evis Kushi, si shumë kolegë të saj në Parlament e parti, do të ngelnin në procesin e Veting-ut, nëse ata do të përballeshin me të njëjtat sfida si zyrtarët e drejtësisë.
“Boldnews.al” ka kryer një analizë mbi të dhënat e pasurisë, të vetëdeklaruara ndër vite nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi.
Duke mbajtur në referencë standartet e aplikuara nga strukturat e rivlerësimit në drejtësi, zonja Kushi, me shumë mundësi, do të ngelte në procesin e Vetingut.
Apartamente e miliona…nga emigracioni Evis Kushi, një pedagoge në Universitetin e Elbasanit, u zgjodh deputete për herë të parë në vitin 2013. Në qytetin e saj, thuhet se emri i Kushit ishte investim i njeriut më të pushtetshëm nga politikanët e majtë të Elbasanit, ish-kreut të Bashkisë së qytetit, Qazim Sejdini (i njohur edhe si “Lala”).
Menjëherë pas marrjes së mandatit të deputetit, në përmbushje të detyrimit ligjor, Evis Kushi deklaron për herë të parë pasurinë, raporton boldnews.
Në formularin “Para fillimit të detyrës”, Kushi deklaron se ajo dhe bashkëshorti i saj, Florens Kushi, kanë në pronësi dy apartamente në Elbasan.
Njëri apartament, me sipërfaqe 71 m2 është blerë në vlerën 1.9 milionë lekë të reja. Ndërsa apartamenti i dytë, me sipërfaqe 99.8 m2, është blerë për shifrën e 37.300 eurove, nga të cilat, në atë kohë, ishin paguar 33 mijë euro.