Lajme

Shifrat ALARMANTE nga koronavirusi, ministri i shëndetësisë paralajmëron MASA të reja

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar marrjen e masave të reja me qëllim të frenimit të koronavirusit, mirëpo nuk ka dhënë detaje se për çfarë bëhet fjalë.

Ai e ka bërë këtë njoftim të dielën pasi ka takuar kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, kryetarin e Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, kryetarin e Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi dhe kryetarin e Odës Hoteliere të Kosovës, Hysen Sogojeva për të diskutuar masat e reja që mund të marrin autoritetet.

“Secili nga ne ndjejmë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e shëndetit publik dhe shëndetësisë, andaj është qenësore që të gjithë se bashku, nga aty ku veprojmë t’i zbatojmë rregullat për të parandaluar përhapjen e virusit sikurse dhe udhëzimet që dalin nga Manuali për Mbrojtje nga Përhapja e Covid-19”, ka thënë Zemaj përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Sipas tij, ndonëse shqetësimet e secilës kategori janë të arsyeshme, shëndeti publik gjendet në rend të parë.

Ai ka thënë se për takimin e së dielës do të diskutojë edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti në mënyrë që këta sektorë të preken sa më pak nga vendimet e ekzekutivit.

Të premten, Ministria e Shëndetësisë, me miratim të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë vendim që nga ora 20:00 e së premtes deri të hënën, në orën 05:00, t’iu ndalohet veprimtaria të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Në këtë periudhë janë mbyllur edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.

Lidhur me këtë vendim, pjesëtarët e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës kanë protestuar të shtunën në shenjë pakënaqësive ndaj masave të marra nga Qeveria e Kosovës, me qëllim të frenimit të koronavirusit.

Ata kanë zhvilluar një aktivitet simbolik para lokaleve të tyre, duke krijuar zhurmë me tenxhere dhe lugë.

Përgjatë valës së parë të pandemisë së koronavirusit, bizneset në Kosovë janë ndihmuar me 60 milionë euro në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike.

MË TË LEXUARAT

To Top