Valter Gjoni, studiuesi dhe aktori i mirënjohur shqiptar nuk jeton më. Ai është ndarë nga jeta në moshën 66 vjeçare pasi nuk e ka fituar dot betejën me Covid-19.
Valter Gjoni ka shërbyer për më shumë se 40 vite në Bashkinë e Tiranës. Një reagim për të ka ardhur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili shkruan: Valteri ynë gojëmjaltë e zemërbardhë nuk e mundi dot këtë flamë të pabesë. I shërbeu qytetit tonë me dashuri përditë për 4 dekada, duke lënë sot një boshllëk të pangushëllueshëm për familjen dhe mijëra kolegë e miq që e njohën dhe e deshën si kujtesa historike e Tiranës.
Biografi
Valter Gjoni, ka lindur më 4 tetor në Tiranë në vitin 1954, është arsimuar në nivel parauniversitar, po në Tiranë. Në vitin 1978 përfundoi studimet universitare pranë Akademisë së Arteve në degën e artit dramatik, dhe po në këtë vit fillon veprimtarinë e tij profesionale si aktor dhe regjisor në Trupën Artistike të Ushtrisë, në Teatrin Popullor (Kombëtar), pranë kinostudios “Shqipëria e Re”dhe Radio Televizionit Shqiptar.
Ka ne biografinë e tij artistike 60 role në teatër dhe estradë, 8 role ne kinematografi, ka realizuar 5 filma dokumentar etj. Në vitin 1987, krahas studimeve pasuniversitare për titull shkencor të nivelit të parë, përfundon edhe studimet e specializimit në degën e gazetarisë, pranë Fakultetit të Shkencave Politike e Juridike. Gjoni ka kryer edhe kualifikime në disa vende si Francë, Holandë, Danimarkë, Finland,Itali, Greqi etj.
Ai është autor i shumë artikujve kulturor, artistik, problematik, informativ e historik në gazeta, revista, emisione televizive dhe botime të veçanta. Pas një përvoje pune intensive në institucionet e artit dhe medias të Tiranës, në vitin 1991 e në vijim, emërohet pranë Bashkisë së Tiranës, ku përmbush një sërë detyrash, si drejtues i sektorëve që lidhen me artin, kulturën, ceremonialin e qytetit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Së fundmi, ai ka qenë Drejtor i Protokollit në Bashkinë e kryeqytetit.