Lajme

Rama bën premtimin e madh për shqiptarët sërish: Në vitin 2021 në çdo shtëpi do ketë ujë 24 orë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar këtë të enjte gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët se vitin e ardhshëm të gjitha zonat urbane do të kenë furnizim 24 orë me ujë.

Nga viti 2013, kur kishte vetëm 1 zonë urbane me 24 orë ujë të pijshëm, sot janë 23 zona të tilla sipas Ramës.

“Në vitin 2013, kur mbaroi epoka e keqqeverisjes së kaluar kishte vetëm 1 qytet me furnizimin 24 orë, Korça. Për të tjerët ishte perspektivë e largët. Sot ka 23 zona urbane me 24 orë furnizimi me ujë. Deri në vitin 2021 furnizimi do të jetë një realitet për të gjitha zonat urbane të Shqipërisë duke përfshirë që nga Laçi në Kavajë, që nga Fushë-Kruja në Shijak, që nga Kruja në Berat e Lushnje, Gjirokastër e me radhë. Tirana është një histori më vete ku ka një rritje të furnizimit me ujë të pijshëm nga 7 orë në ditë furnizim mesatarisht sot vetëm Bovilla furnizon 16 orë në ditë banorët e kryeqytetit”, tha Rama.

Në vitin 2021, Rama tha se do të jetë 85.6% e popullsisë që do të ketë akses në ujë të pijshëm.

“Furnizimi me ujë të pijshëm mesatari i Shqipërisë ishte rreth 10 orë në ditë, sot që flasim jemi në 15 dhe do të arrijmë në 18 orë. Flas për të gjithë territorin e Shqipërisë. 7 vite më parë vetëm 49.1% e popullsisë kishin akses në një burim të ujit të pijshëm përmes rrjetit. Sot jemi në 78.5%. Do të kemi në 2021 85.6% të popullsisë me akses në ujë të pijshëm”, tha Rama.

Kryeministri u garantoi qytetarëve që kanë problematika në ujë të pijshëm se nuk janë lënë pas dore. Ai tha se 128 kantiere janë në punë pavarësisht vështirësive nga tërmeti dhe pandemia.

“Dua t’i garantoj të gjithë qytetarët ku ka problematikë me ujë të pijshëm që jo vetëm nuk janë lënë pas dore, por e përsëris 128 kantiere janë në punë në këto komente, pavarësisht vështirësive ekstra që na është dashur të përballojmë me tërmetin dhe famën ndërkombëtare të pandemisë. Atyre që pretendojnë, pyesin apo sugjerojnë që këto nuk janë prioritete se investimet”, u shpreh Rama.

MË TË LEXUARAT

To Top