Në Panairin e Librit të këtij viti, fitues si “Lexuesi më i mirë” u shpall një fëmijë i veçantë i quajtur Jamarbër Hoxha.
9-vjeçari, i cili i përket spektrit autik, këtë të enjte ishte i ftuar në studion e emisionit “Ftesë në 5”, së bashku me hallën e tij, Luçi Kardashi.
Kjo e fundit, është kujdesur për vite me radhë për të nipin dhe rrëfeu gjatë bisedës me Bietën, të gjithë përkushtimin që ka dhënë për përkujdesjen e djalit. Ajo tha se përvoja e kaluar me fëmijët e saj, e ka ndihmuar të kujdesej për Jamarbrin.
Ndërkohë nuk ngurroi t’i bënte thirrje të gjitha hallave, që t’i qëndrojnë pranë fëmijëve të këtij spektri, pasi duhet shumë punë që ata të jenë të zhvilluar e të integruar në shoqëri, ashtu sikurse është dhe 9-vjeçari i veçantë.
“Prindërit u tro nditën shumë. Problemi ishte që kush do e shoqëronte Jamarbrin për një terapi, sepse prindërit duhet të punonin, të mbulonin shpenzimet për familjen, dihen. Unë vendosa të le punën dhe të shoqëroja Jamarbrin për terapi tek fondacioni Fëmijët Shqiptar. Nuk ishte vetëm kaq. Ndërkohë që e shoqëroja, unë punoja me Jamarbin, nuk isha psikologe, por duke pasur sukses gjatë jetës me fëmijët e mi, kisha përvojë për t’u marrë me një fëmijë si Jamarbri. U futa kaq thellë tek djali, sikur isha shoqja e tij. Ai u lidh me mua, por erdhi një moment që kuptova që në fund të fundit nga autizmi prindërit janë ata që duhet ta nxjerrin fëmijët e tyre. I bëj thirrje të gjitha hallave të ndihmojnë në këtë drejtim, jo vetëm nga ana shpirtërore, por edhe nga ana financiare. Është një lodhje shumë e madhe, duhet të merresh me një fëmijë të tillë, që të arrish diçka, si ka arritur Jamarbi”, u shpreh zonja Kardashi.