Dy ditë më parë, aktori i njohur Bes Kallaku festoi 35-vjetorin e lindjes. Ai organizoi një festë shumë të veçantë, mes familjarëve dhe miqve, mirëpo gjërat nuk kanë shkuar dhe aq mirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar se aktori, të ftuarit dhe pronari i lokalit janë gjobitur, si rrjedhojë e shkeljes së masave të Koronavirusit.
Ndaj pronarit të lokalit është marrë masa administrative 1.000.000 lekë, ndërsa 30 të ftuarit janë gjobitur.
Përpos tyre, 6 punonjës të policisë janë pezulluar nga puna për moskryerje të kontrollit të territorit.
Njoftimi:
Në lidhje me aktivitetin e zhvilluar më datë 20.11.2020 në një lokal në fshatin Laknas, Bashkia Kamëz, ku shtetasi B.K, kishte organizuar një ceremoni ditëlindje dhe kishte ftuar rreth 30 persona, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë menjëherë mori masa në zbatim të Aktit Normativ, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Nga ana e Policisë së Tiranës, u mor masa administrative 1.000.000 lekë për administratorin e lokalit shtetasin F.U., në bazë të aktit normativ nr 3 datë 15.03.2020.
Gjithashtu në bazë të pamjeve filmike janë identifikuar të gjithë personat që ishin pjesmarrës në aktivitetin e zhvilluar dhe do ndëshkohen me masë administrative për shkelje të masave kufizuese anticovid-19.
Njëkohësisht Drejtori i DVP Tiranë ka pezulluar nga detyra 6 punonjës Policie për moskryerje të kontrollit të territorit dhe ndaj tyre Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë .
Drejtoria Vendore e Polcisë Tiranë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve dhe qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid duke bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qyetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital cilindo administrator lokali apo qytetar që nuk i respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për shëndetin e qytetarëve.