Ushqime

S’e keni bërë akoma drekën? Kjo është receta më e mirë për të bërë qofte furre me patate

Patatet mund t’i keni shoqëruar me pulë, oriz, perime apo mish në furrë, por me qofte mbase nuk i keni hasur.

Qofte në furrë me patate - Guzhinë

Mjaftojnë vetëm disa hapa të lehtë dhe do të mbushni shtëpinë tuaj me aromë perfekte. Patatet duke qenë se janë një perime i plotë, arrin t’ju mbajë më gjatë të ngopur.

Dhe kur temperaturat ulen uria duket sikur na merr në çdo moment. Mësoni shkurt përgatitjen dhe shijojini sa herë që dëshironi.

Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)

300-400 gr mish i grirë

700g patate

2 speca

1 domate

2 kokrra qepë

2 feta bukë

1 kokërr vezë

4-5 lugë gjelle miell

3-4 thelpinj hudhra

Kripë, piper i zi, nenexhik

3 lugë gjelle vaj ulliri

1 gotë ujë i nxehtë

Përgatitja
Për përgatitjen e kësaj recete të filloni me qoftet. Kështu i keni gati kur t’ju duhen që t’i përfshini në recetë.

Në një tas të madh bashkojmë mishin e grirë me vezën, bukën e qullur me ujë ose qumësht, kripën, piperin, nenexhikun e grirë hollë, qepët dhe hudhrat e grira hollë, miellin dhe i përziejmë mirë derisa masa të jetë bërë homogjene.

Qoftet i ndajmë në forma të rrumbullakëta në madhësinë e një kokërr are. Lërini në një pjatë të sheshtë, ndërkohë që përgatisni perimet.

Patatet qërojini dhe pritini ne 6-8 pjesë, në mënyrë që të mos humbasin formën e tyre. Futini në një tas me ujë të freskët në mënyrë që të largohet përqindja e tepërt e niseshtesë që kanë.

Ndërkohë specat pritini në shirita të vegjël. Merrni një tavë dhe lyejeni me vaj ulliri.

Kaloni aty patatet dhe specat duke i hedhur kripë dhe piper. Më pas mes tyre vendosni qoftet që përgatitët dhe në fund grini sipër domaten. Spërkateni përsëri me pak vaj dhe hidhni gotën e ujit.

Piqeni tavën në temperaturë 200 gradë derisa të shikoni që qoftet dhe patatet të jenë gati.

MË TË LEXUARAT

To Top