Lajme

Nga dita e sotme rriten pagat, largohet TVSH për 40 mijë biznese të vogla dhe akciza për bujqësinë(VENDIMET)






Me hyrjen e vitit të ri 2021 kanë hyrë në fuqi edhe disa vendime të rëndësishme ekonomike. Nga sot, të gjithë qytetarët shqiptarët që janë të punësuar ose që pritet të punësohen do të paguhen jo më pak se 30 mijë lekë të reja, pasi hyn në fuqi vendimi për rritjen e pagës minimale. Vendimi u mor më 16 dhjetor dhe sot nis zbatimi. Më herët paga minimale ishte 26 mijë lekë të reja. Për të përfituar 30 mijë lekë të reja, duhet që punëmarrësi të kryejë 174 orë punë në muaj.

Vendimi i dytë i rëndësishëm që hyn në fuqi sot është edhe heqja e TVSH-së. Çdo biznes i vogël me xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë të reja, nuk do të paguajë TVSH-në deri në vitin 2029. Ky vendim përjashton nga skema e TVSH-së rreth 40 mijë biznese. Gjithashtu, nga sot, bizneset e vogla me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë të reja, do të kenë tatim-fitim zero.

Vendim me rëndësi është edhe fiskalizimi. Çdo faturë që lëshohet për Entet Shtetërore duhet të jetë elektronike. Ky sistem i ri, pritet që të zbatohet fillimisht nga bizneset në marrëdhëniet e tyre me shtetin.

Gjithashtu, nga sot hiqet edhe akciza e naftës për bujqësinë. Vendimi i shpallur nga qeveria në tetor 2020, hyn sot në fuqi, e po ashtu edhe heqja e taksës së qarkullimit dhe asaj të karbonit për fermerët. Nga ky vendim do të përfitojnë rreth 47 mijë fermerë të regjistruar me NIPT, dhe të tjerët që do të duhet të regjistrohen.

MË TË LEXUARAT

To Top