Nga një krem hidratues i lehtë apo balsam pa ngjyrë buzësh, te sy vezullues dhe qerpikë fallco; ka mënyrë të shumta se si sot burrat po zgjedhin të grimohen.
Teksa për shumë mbetet ende tabu, tendenca e makeup-it te burrat sa vjen dhe po rritet, duke parë përherë e më shumë djem të rinj dhe jo vetëm, që përdorin produkte bukurie si në evente apo tapet të kuq, ashtu edhe në përditshmëri.
Po, makeup-i te burrat nuk është aspak një gjë e re. Zanafillën e saj e gjejmë në Egjiptin e Lashtë, ku burrat përdornin vajra dhe yndyrna për lëkurën e tyre, në mënyrë që t’i mbronin nga nxehtësia e shkretëtirës dhe rrezet e diellit.
Burrat e klasës së lartë të Egjiptit të Lashtë shpesh vijëzonin sytë. E njëjta gjë ndodhte edhe me burrat në Romën e Lashtë, ku disa prej tyre përdornin parfum të lehtë, hiqnin qime në zona të caktuara të trupit dhe madje shpesh përdornin produkte të ndryshme për të zbardhuar fytyrën e tyre. Po kështu, edhe gjatë periudhës së mbretëreshës Elizabeta I, burrat pudrosnin fytyrën e tyre. Në Japoninë e shekullit të 17-të, burrat zbardhin portretet me ndihmën e miellit të orizit, ndërkohë që sytë i vijëzonin me të kuqe dhe të zezë. Duke iu afruar kohërave moderne, vijmë në periudhën e Hollywood-it të vjetër, i cili shfaqi në ekran burra të grimuar.
Po teksa vendosja e makeup-it te burrat, deri vonë shihej kryesisht te muzikantët dhe aktorët, të cilët kishin kontakte të vazhdueshme me ekranin, sot, përherë e më shumë shihen burra teksa përdorin produkte bukurie në përditshmërinë e tyre.
Po kështu, kohët e fundit artistë të njohur të makijazhit duket se përmes këshillave të tyre të bukurisë po ndikojnë përherë e më shumë sa i takon nxitjes dhe zgjedhjes së burrave për të përdorur produkte bukurie.