Nga: OLSJAN TOPALLI*LAÇ-Kisha dëgjuar edhe herë të tjera për atë vend të shen jtë, kisha dëgjuar shumë legjenda e ndodhi që kishin ndodhur, derisa një ditë nga kurioziteti më lindi dëshira e zja rrtë për të vizituar atë vend mbresëlënës, siç është Kisha e Laçit, që vizitohet nga mijëra besimtarë në vit nga çdo skaj i vendit.
Ditë e martë dhe ora shënon 6:00, dielli sapo ka filluar të shtrijë rrezet e tij të para në qytet, e kështu si çdo ditë dhe qyteti zgjohet dalë ngadalë.
Mes këtyre fjalëve që më vijnë ndër mend nuk nguroj të bëhem gati e t’i bashkohem pjesës tjetër të grupit që po më pret për t’u nisur për në qytetin e vogël të Laçit, i cili u bë i njohur si qytet prej superfosfatit, ku ishte ndër objektivat kryesorë po ashtu edhe prodhimi i plehrave kimikë për një prodhim bujqësor, ku regjimi komunist synonte të prodhonte gjithçka në vend. E patëm lënë të takoheshim te stacioni i furgonëve të Laçit, që ndodhet pranë “Zogut të Zi” në Tiranë. Ashtu një nga një mblidhemi të gjithë aty, ku papritur na tërheq vëmendjen një zë që nga larg. “Hajd Laçi, Kisha Laçit” – ishte zëri i fortë i një zotërie që duhej të ishte shoferi i furgonit, i cili na i kishte ngulur sytë sikur donte të na merrte në makinën e tij. Pa humbur shumë kohë akomodohemi në sediljet e furgonit dhe nga çasti në çast presim që të hipë në timon shoferi, që të nisemi drejt aventurës sonë. Ndërkohë, faturinoja që nuk flet asnjë fjalë mbyll derën dhe makina nis të çajë trafikun përpara. Por, nuk mungon edhe ndonjë thirrje nga jashtë “Keni noj vend deri n’Laç”.
Ndërsa shoferi ynë rrudh krahët në shenjë pafajësie dhe për t’u lënë të kuptojnë që është i mbushur, vazhdon rrugën për në Kishën e Laçit, atë vend të shenjtë që tashmë kishte tërhequr vëmendjen e besimtarëve përtej kufijve të Shqipërisë. Rruga vazhdon dhe asnjëri nga ne nuk flet, sikur vallë po ndjejmë që tani frymën e shenjtë brenda nesh. Pasi kalojmë pak kilometra nga Tirana, shtrihet Bathorja, ku shoferi fjalëpak nuk nguron të na i thotë ca fjalë për Bathoren. “Or taj Bathorja për mendimin tem osht vendi ma i mir n’Tiron. Aty jan gjithë vilat e vendit e osht qetsi e papame” – ishin këto fjalët e tij që na përcjell e mes tyre shtrëngon këmbën fort mbi pedalin e gazit për të na shpënë sa më shpejt në destinacion. Dikush nga tanët e pyet se pse fliste me aq kënaqësi për Bathoren.
Ai sheh nga pasqyra dhe thotë: “Po n’Bathore jetoj or ti, pavarësisht se jom nga Kuksi”. Mes këtyre bisedave, faturinoja heq telefonin nga veshi që kishte që në Tiranë që nuk e ndërpriste bisedën dhe si për të hyrë në muhabet, “Unë jom nga Mirdita, por kom vite që jetoj në Tironë” – ndërpret bisedën me shoferin tonë ‘kuksian’, ndërkohë që na mbledh edhe lekët e udhëtimit. Dielli tashmë na kishte shoqëruar gjatë gjithë kohës e herë-herë bëhej dhe i bezdisshëm në sytë tanë. Tashmë kishim arritur në Fushë-Krujë, siç e pohon edhe tabela në anë të rrugës.
Rehatinë tonë e prish tek-tuk ndonjë gropë në mes të rrugës, që siç duket nuk është vënë re nga askush, por ata që buzëqeshin më shumë janë serviset anash rrugës, që nxjerrin para nga makinat e dëm tuara nga gropat e shumta. * * * Heshtje përsëri mes nesh! Nga larg me shikim të lirë dalloj një tabelë tjetër ku shkruhej ‘Laç’ dhe pa e menduar gjatë pyes shoferin “Arritëm?”. – “Jo mor djalë akoma, kemi edhe 20 minuta rrugë derisa sa të ngjitemi lart te kisha”. Furgoni kthen dhe merr rrugën për në qytet. Ndryshe nga Tirana e madhe, Laçi shikohet i tëri me sy të lirë. Nuk ka pallate shumëkatëshe a zhurma të ndryshme, ku dhe klima është më e pastër, ndonëse pak më e ftohtë. Pas disa metrash nëpër qytet dalim nga qyteti ‘famoz’ e marrim rrugën tatëpjetë për nga kisha. Njerëz kudo. Të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar që kanë marrë rrugën e lodhshme për t’iu bashkuar pelegrinazhit të gjatë e për të ndezur qiriun e tyre të shenjtë. Herë-herë furgoni ndalon e merr ndonjë njeri të moshuar lartë, për t’ia lehtësuar sadopak lodhjen ca nga rruga e ca nga mosha. * * * Diku në ngjitje në automjetin tonë hipën Klevi, një djalë rreth 12- të vjeç, që në dorë mban qirinjtë për të shitur. Nuk hezitojmë të blejmë edhe ne qirinjtë tanë, por edhe për t’i bërë punë djaloshit të vogël, që këtë ditë e ditë të tjera ka braktisur shkollën për të fituar ato aq pak para për të ndihmuar familjen e tij. “Ju ndihmoftë Zoti” – na thotë Klevi i buzëqeshur, duke u larguar nga ne, për të shitur qirinj të tjerë te makinat që vijnë pas karvanit të gjatë të makinave që vijnë pas nesh. Makina të shumta kthehen nga kisha, ato siç duket janë ngritur që me natë për t’u lutur në vendin e shenjtë.
Në pritje të atyre që vijnë poshtë, ne detyrohemi të ndalojmë për të mos krijuar problem në qarkullimin e mjeteve të tjera. E ndërsa rrimë duke pritur, para nesh qëndron një veturë komode ku nga ajo del një burrë rreth të 30-tave, i cili thith plot dëshirë tymin e cigares që mban në duar. Në sy bien shumë aksesorët e florinjtë që mban në qafë e duar. “Ësht ‘skifter’ aj or ti, punon natën” – thotë në shenjë humori faturinoja jonë për të thyer heshtjen tonë.
E ndërsa ecim, përpara nesh qëndrojnë njerëz plot vuajtje mbi supe, të cilët janë ulur buzë rrugës që në mëngjes herët, na zgjatin duart për t’i ndihmuar, për t’ia bërë më të lehtë jetën. Të prekur thellë shpirtërisht u ofrojmë kontributin tonë, i cili shpresojmë që t’u lehtësojë vërtet sadopak dhembjen dhe vuajtjen shpirtërore që ata kanë. E teksa po ecim lehtë me trukun e hapave tona të lodhura, nuk mund të rrinim pa i dëgjuar dhe fjalët e banorëve vendës, të cilët tregojnë me qindra raste mrekullish: “Të çmendur që vijnë duke belbëzuar dhe kthehen me kokën ulur për në shtëpi. Vajza fatpadala që e kanë gjetur njeriun e jetës që porsa kanë zbritur në rrugën kryesore të Laçit, të tjerë që kanë qenë të shurdhuar e për herë të parë në atë vend kanë dëgjuar tingujt e bukur të jetës”. Të gjithë siç jemi i afrohemi makinës, rehabilitohemi e më pas nisemi. Largohemi duke lënë pas Kishën e Laçit, atë vend aq hyjnor e të shenjtë, ku dhe ateistin më të madh në botë do ta bënte të ndihej një besimtar i devotshëm. Lamë pas Laçin plot me mistere mbushur. Lamë pas Laçin me histori të bukura dhe mbresëlënëse që hynë dhe mbetën në memoriet tona, i dhanë më tepër gjallëri kësaj vizite. Pak muzikë e lehtë në sfond dhe ajri i freskët që përshkon fytyrat tona i shton jetë e lumturi kthimit tonë në Tiranën e zhurmshme, e të tejngopur nga smogu e ndodhitë e trishta, që çdo ditë e më shumë vështirësojnë jetën tonë.