Isli Islami zbuloi ditë më parë se është infektuar me Covid-19 dhe për këtë arsye ka munguar këto kohë në ekran.
Në një lidhje live nga shtëpia e tij, ai zbuloi në emisionin që drejton “Wake Up” se ishte prekur nga koronavirusi bashkë me të ëmën.
Isli tregoi se simptomat e para të koronavirusit ishin humbja e shijes dhe mungesa e fuqisë, aq sa nuk mund të lëvizte nga njëra dhomë e shtëpisë në tjetrën. Ai tha se bashkë me nënën bënë tamponin dhe rezultuan pozitivë dhe se tani po ndjekin protokollin e Covid-19 të dy.
Por ndryshe nga të tjerët që humbasin shijen dhe nuk kanë neps për asgjë, Isli i kërkoi Orit gjatë intervistës që t’i bënte një byrek me spinaq dhe t’ja çonte në shtëpi. Ori premtoi se do ja realizonte dëshirën, edhe pse nuk do e bënte vetë byrekun, por me ndihmën e të ëmës. Siç duket ajo e ka mbajtur fjalën dhe mbrëmjen e djeshme i ka çuar Islit në shtëpi byrekun me spinaq.
I lumtur për këtë gjë, Isli e ka ndarë menjëherë me ndjekësit e tij byrekun në Instagram dhe ka treguar se çdo premtim që jepet në “Wake Up” mbahet.
“Nuk e di si janë mësuar të tjerët por çfarë premtohet në ‘Wake Up’ mbahet! Të lumshin duart teta Shpresa”, ka shkruar Isli përkrah videos së byrekut. Kujtojmë se Ori dhe Isli janë përfolur shpesh se janë në një lidhje, por kur Islami zbuloi se ishte infektuar ata u shprehën se kjo vërteton edhe një herë se nuk flenë bashkë në një krevat e se nuk kanë asgjë më shumë përtej miqësisë.