Kur dy njerëz dashurohen me njëri-tjetrin ata shpresojnë dhe ëndërrojnë që të lidhin jetën e tyre së bashku duke u martuar dhe krijuar një familje.
Fatkeqësisht ka çifte të cilët edhe pas shumë përpjekjeve nuk ia dalin dot të bëhen me fëmijë dhe shpresa e vetme është nëpërmjet procesit in Vitro që kushton shumë.
E tillë ishte dhe historia e Ilirit dhe Alketës që u trajtua në programin “Dua të të bëj të lumtur”. Iliri në studio rrëfeu se ishte njohur me Alketën nëpërmjet një të afërmi të tij dhe se të dy kishin rënë menjëherë në dashuri me njëri-tjetrin. Alketa dhe Iliri pas disa kohësh kishin pranuar që të martoheshin dhe ishin zhvendosur në shtëpinë e prindërve të tij, në Tepelënë. Iliri rrëfeu se për ta jeta është tepër e vështirë për shkak të papunësisë dhe se jetonin vetëm me pensionin e prindërve të tij.
Pavarësisht problemeve ekonomike, Iliri dhe Alketa gjatë 12 viteve martesë kishin provuar disa herë që të sillnin në jetë një fëmijë, por fatkeqësisht nuk i’a kishin dalë mbanë. Pas disa vizitave mjekësore, mjekët i kanë këshilluar që të provonin fertilizimin in Vitro, por për Ilirin dhe Alketën kjo metodë është shumë e shtrenjtë dhe nuk e përballojnë dot nga ana financiare.
Për këtë arsye, Iliri kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” që të falënderonte Alketën, por edhe për t’i thënë që do të jenë gjithmonë së bashku pavarësisht gjithçkaje.
“Alketa edhe pse kemi shumë probleme, të falënderoj shumë për çdo gjë që ke bërë. Dije se të dua shumë dhe do qëndroj gjithmonë me ty!”, u shpreh Iliri.
Kësaj nisme të Ilirit i ishte bashkuar dhe një ndër aktoret më të dashura të publikut, Olta Gixhari të cilën çifti e pëlqente shumë.
“Unë e shoh se sa shumë dashuri ka midis jush dhe kur më treguan për historinë tuaj, menjëherë pranova që të vij duke afruar datën e ardhjes. Dua t’ju them të mos dorëzoheni kurrë!”, u shpreh aktorja. Në fund programi në bashkëpunim me spitalin “Hygeia” kishte menduar një surprizë të madhe për çiftin nga Tepelena duke i dhuruar mundësinë e fertilizimit in Vitro.