Flamur Hajdari lajmin e ndarjes nga jeta të nënës së infektuar me koronavirus e mori përmes telefonit, larg saj.
“Neve na lajmëroi doktoresha në telefon e na tha që nëna juaj ndërroi jetë. Nuk e pamë më…. Nuk e pamë më…”, tha Hajdari.
Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, 74 vjeçarja prej 10 ditësh ishte shtruar në spitalin covid 1 nga ku nuk u kthye më në shtëpi.
“Sa janë përpjekur aty brenda, këtë nuk e dimë, por kështu na thanë”, tha Hajdari. Për çdo bir, ashtu si edhe për Flamurin, humbja e prindit por sidomos e nënës është e vështirë të pranohet në këto kushte të diktuara nga pandemia e covid-19.
“Më ishte ankuar një herë, kam një ngërc këtu, i kam thënë do ikim bashkë në spital. Nuk ka dashur, nuk kam ndonjë gjë tha. Pe ngu është pse s’e mora me forcë, ndoshta s’ka të bëjë fare”, tha Hajdari.