Deputetët e Danimarkës e kanë miratuar planin për ndërtimin e një ishulli artificial që do të shërbente si vendbanim për 35 mijë njerëz dhe që do ta mbronte portin e Kopenhagës nga rritja e nivelit të detit.
Ishulli gjigant, të cilit i është vënë emri Lynetteholm, do të ishte i lidhur me pjesën tokësore të shtetit me një rrugë unazore, tuneleve dhe një linje trenash, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Miratimi nga kuvendi e hap rrugën për fillimin e ndërtimit të projektit më vonë gjatë këtij viti. Sipërfaqja e ishullit artificial do të jetë 2.6 kilometra katrorë.
Pjesë e planit për ishullin Lynetteholm është edhe një digë përreth perimetrit me qëllim të mbrojtjes së limanit nga rritja e nivelit të detit dhe nga stuhitë.
Nëse procesi i ndërtimit zhvillohet sipas planit, shumica e punëve pritet të përfundohen në vitin 2035, ndërsa kompletimi i projektit është paraparë për vitin 2070.
Sidoqoftë, projekti po kundërshtohet nga aktivistët për mbrojtjen e mjedisit, të cilët edhe kanë paraqitur rast në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Në mesin e shqetësimeve të tyre është transportimi i materialeve përmes rrugëve, që do të përfshinte një numër të madh të automjeteve.
Ndërtimi i këtij ishulli artificial, i cili e ka sipërfaqen sa 400 fusha futbolli, do të kërkonte rreth 80 milionë tonë dhe.