Vajza e Bashkim Finos, Megi Fino është emëruar ditën e sotme zv/ministre për Europën dhe Punët e Jashtme. Vendimi është marrë në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë në Këshillin e Ministrave.
Megi Fino u shfaq për herë të parë në radhët e socialistëve në kongresin e Partisë Socialiste ku mbajti një fjalim të ndjerë për të atin. Bashkim Fino, u nda nga jeta disa muaj më parë pasi humbi b etejën me COVID-19.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, zv/ kryeministri Erion Braçe ka firmosur disa ndryshime në rang zv/ ministrash. Pas Megi Finos, e cila u emërua zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme është liruar nga detyra Etjen Xhafaj, i cili deri tani ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Arsyeja e lirimit lidhet me faktin se Xhafaj nga shtatori do të futet në Kuvend, pasi në zgjedhjet e 25 Prillit u zgjodh deputet në qarkun e Tiranës. E njëjta gjë edhe për Petro Koçin, i cili lë postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes për karrigen e deputetit, pasi u zgjodh deputet në Fier.