Pas publikimit të pagës së tij prej 18 milion lekë të vjetra, analisti Baton Haxhiu ka reaguar ashpër duke thënë se shteti ka d ështuar dhe nëse nuk ishte përgatitur për digjitalizimin, atëhere të mos e bënin.
“Këtu është një i çmendur që nuk e ka ditur fare për pasojat, se çfarë do të thotë botimi i tyre. Mos të flas për shtetin që ka dështuar totalisht. Nëse nuk je i përgatitur për digjitalizim, nëse nuk e ke sekretin e ruajtjes së tyre, mos e bëj se nuk je i gatshëm për këtë punë”, tha ai.
Ai shtoi se kjo çfarë ndodhu është më shumë se sa një traumë, duke shtuar se “nuk di se si ta definoj këtë papërgjegjësi shtetërore dhe individuale”.
“Këtu dikush kërkon njëfarë revolucioni social për shkak të dallueshmërisë”, tha ai duke theksuar se një ngjarje e tillë nuk do të kalojë pa pasoja.
Kujtojmë se ditën e sotme u shpërnda një dokument i punuar në “Exel”, në të cilën gjendeshin pagat dhe të dhënat personale e 630 mijë qytetarëve shqiptarë.
Qeveria ka reaguar duke theksuar se nga analizat paraprake nuk rezulton të ketë asnjë “eksport dixhital të databazës së pagave për periudhën janar-prill 2021.” Referuar reagimit zyrtar, databaza është e ndryshme nga ajo që përdor Ministria e Financave dhe nuk përmban fushën “Emri i Plotë”.