Në Detin Tiren përtej Italisë pritet të krijohet një tjetër ciklon sonte dhe nesër do të rrugëtojë nga Italia drejtë Detit Jon dhe pastaj në drejtim të Greqisë. Ky ciklon do të na sjellë reshje të reja atmosferike të cilat në kombinim me erërat e ftohta veriore do të jenë kryesisht në formë bore.
Fillimisht priten reshje shiu, ose të përziera, pastaj ,me uljen e temperaturave do të shndërrohen në reshje bore. Vende-vende herë pas here priten reshje të dendura bore gjatë ditës së hënë dhe të martën, sidomos në Kosovë e veçanërisht në viset kodrinore-malore, por duke mos përjashtuar edhe shumë vise më të ulëta. Në disa ultësira të Dukagjinit mund të mos ketë borë, ose bora pritet të jetë simbolike.
Reshje të dendura bore priten edhe në veriun e Malit të Zi dhe lokalisht priten edhe në Luginën e Preshevës. Reshje bore priten lokalisht edhe në veri-verilindje, lindje -juglindje të Shqipërisë si dhe në veriperëndim dhe jugperëndim të Maqedonisë së Veriut. Lokalisht edhe në disa vise tjera.
Me kalimin e ciklonit dhe largimin e tij gradual në drejtim të Greqisë mbi rajonin tonë do të vendosen rryma mjaft të ftohta ajrore nga veriu. Përpos reshjeve të borës priten edhe erëra të ftohta veriore.