Juria e festivalit të këngës në RTSH zgjodhi Elsa Lilën fituese të çmimit të parë të jurisë, në natën e tretë dhe të fundit të festivalit të enjten.
Por, votat e publikut përmbysën rezultatin në favor të Albina Kelmendit dhe Familjes, të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision.
Pesëshja e jurisë përbëhej nga producenti Genc Salihu, këngëtari Elton Deda, profesor Zhani Ciko, poetja Rita Petro dhe këngëtarja Alma Bektashi.
Ata vendosën për çmimet për 3 vendet e para në Fest 61, çmimin për artistët e rinj, çmimin për karrierën dhe çmimin për grupet alternative.
Në këtë edicion, është vendosur që kënga përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovizion do të zgjidhej nga vetë publiku, përmes votave me SMS.
Albina dhe Familja Kelmendi u pëlqye shumë nga publiku qysh nga prezantimi në natën e parë të Festivalit të Këngës.
Këngëtarja nga Peja zgjodhi që në festival të marrë pjesë bashkë me familjen e saj, me këngën “Duje”, që flet pikërisht për institucionin e familjes.