Lajme

Balluku mohon zërat se do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës: S’e zëvendësoj dot Veliajn e kam nun të vajzës

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është shprehur se nuk e synon Bashkinë e Tiranës. E ftuar në “Now” në Euroneës, Balluku tha se ajo e vlerëson shumë kryebashkiakun Erion Veliaj e se ai është nuni i vajzës së saj. Balluku u shpreh se me Veliajn njihet shumë herë më parë se të dy t’i futeshin politikës, janë miq të mirë, ndajnë gjëra familjare bashkë dhe se ajo do të vijojë ta mbështesë për të rikandiduar në Bashkinë e Tiranës. Në Partinë Socialiste, ministrja e Infrastrukturës u shpreh se ka një parim, kontribuohet aty ku është e nevojshme dhe ajo e respketon këtë gjë.

“Unë Erionin nuk e njoh nga jeta politike, unë me Erionin njihem shumë më parë, kur edhe unë edhe ai nuk kishim lidhje me politikën. Siç më konsideron mua motër, edhe unë e konsideroj vëlla. Erioni është nuni i vajzës time, e kemi mbështetur njëri-tjetrin gjithmonë. Ne kemi një parim që në PS kontribuojmë aty ku i duhemi partisë. Nëse partia mendon se duhet të kontribuoj në bashkinë e Dibrës, atëherë unë e bëj atë. Kontribuoj aty ku ka nevojë vendi.

Erioni ka shkëlqyer në drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe fakti dhe popullariteti i tij tregon se e ka bërë punën shumë mirë. Ka mundësi që ta bëjë akoma më mirë në 4-vjeçarin tjetër. Ai ka tërë mbështetjen tonë, të çdo drejtuesi politik në PS të çdo anëtari të PS dhe përveçse këto janë saga mediatike që unë e kuptoj që duhen nga pak për të bërë më interesante jetën politike në vend dhe herë pas here më përmendet mua emri i Erionit, po unë po gjej rastin, nuk isha pyetur direkt për marrëdhënien me të, unë po gjej rastin të them: Ne jemi dy njerëz që kemi lidhje me njëri-tjetrin jashtë politike. Jemi njerëz që na bashkojnë familjet tona. Erioni është një person i cili është i rëndësishëm dhe për fëmijët e mi, pasi është nun i vajzës time. Takohemi edhe gjatë fundjavës për të ngrënë mëngjes me njëri-tjetrin.

Unë e kam parë që kohët e fundit njerëzit na shikojnë edhe me çudi pra duke dëgjuar gjëra që ndodhin në media që ndonjëherë unë nuk informohem dhe as ai nuk informohet dhe ajo që na ndodh është kur ulemi një të shtunë në mëngjes për të folur për punën dhe për të ngrënë mëngjes me njëri tjetrin, për të folur dhe për gjëra familjare, shikojmë njerëz që na shohin çuditshëm dhe pastaj kuptojmë që diçka ka dalë në media por që asgjë nuk është e vërtetë nga të gjitha këto. Jemi shokë të mirë dhe e gjithë kjo telenovela mediatike unë shpresoj që të shërbejë për të pasur lajme por që nuk ka asnjë bazë të vërtetë dhe asnjëherë as unë as ai nuk jemi ndikuar nga ato që thuhen në media,”- u shpreh Balluku.

Veliaj u rikonfimua nga kryeministri Edi Rama javën e kaluar. Në një takim në Zall Herr, ku u dorëzuan çelësat e shtëpive të rindërtuara, drejtuar Opozitës, kryeministri tha se Veliaj do të jetë për shumë kohë aty, duke nënkuptuar rikandidimin e tij për Bashkinë Tiranë, në lokalet e vitit 2023.

MË TË LEXUARAT

To Top