Reality-show më i ndjekur në trojet shqiptare, “Big Brother”, u rikthye në ekranet televizive më 5 tetor të vitit që lamë pas. Por, tani në një format më ndryshe, me fytyra publike e të njohur për stilin e tyre.
Pas katër vitesh pauzë, ky program tejkaloi çdo pritshmëri, duke u bërë programi më i shikuar, u bë temë kryesore emediave rozë, madje u kthye edhe temë e diskutimeve të shoqërisë sonë.
Ndryshe nga sezonet e kaluara që mbaronin në ditën e 100-të, tani në shtëpi banorët janë në ditën e 106-të dhe finalja e madhe do të mbahet më 18 shkurt, pra edhe një muaj nga data e sotme.
Ngjarja më e përfolur e këtij formati ishte takimi i moderatores, Bora Zemani me ish të dashurin, aktorin, Donald Veshaj, takim i cili përfundoi me puthje të dyshes kështu duke u rikthyer në dyshen më të përfolur. Por, vetëm pak javë pas takimit ai konfirmoi lidhjen me këngëtaren kosovare, Beatrix Ramosaj, kështu duke u kthyer sërish në temë kryesore të mediave, me trekëndëshin e krijuar (Bora-Donald-Beatrix).
Sipas burimeve të “Pamfletit” në ‘TopChannel’, një ide lidhur me Bora Zemanin që të jetë prezente në natën finale është hedhur në tavolinë e diskutimeve mes Arbana Osmanit, Lorit dhe Sara Hoxhës.