Ditët e fundit Europa po përjeton një rritje të lartë të numrit të të infektuarve me koronavirus. Në këtë kuadër, gati gjysma e popullsisë së Sllovakisë u testua për Covid-19 të shtunën.
Qëllimi i këtij testi është identifikimi i personave të infektuar dhe karantinimi i tyre dhe qeveria shpreson se do të ndikojë në uljen e kurbës pa pasur nevojë për mbyllje. Kjo skemë po shërben si model edhe për shumë vende të tjera që kërkojnë mënyra për të ulur përhapjen e virusit dhe për të shmangur ngarkesën e spitaleve.
Ministri i mbrojtjes, Jaroslav Naď, tha të dielën se 2.58 milionë sllovakë kishin bërë tamponin të shtunën dhe 25 850 (ose 1%) rezultuan pozitivë dhe duhej të karantinoheshin. Sllovakia ka një popullsi prej 5.5 milion dhe synon të testojë sa më shumë njerëz, përveç fëmijëve nën 10 vjeç. Më shumë se 40 000 mjekë dhe ekipe ushtarësh, policësh, punonjësish të administratës dhe vullnetarë ngritën rreth 5 000 pika ku u administruan testet Covid-19 Sllovakia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme më 1 tetor kur nivelet e saj të infeksionit filluan të rriteshin.
Testimi u krye falas dhe pa detyrim, por qeveria ka thënë se do të vendosë izolimin si masë për ata që nuk marrin pjesë, duke përfshirë ndalimin për të shkuar në punë. Kryeministri Igor Matovič kërkoi falje për kërkesën e vazhdueshme të qytetarëve për t’u testuar, por shtoi se kjo gjë ishte e domosdoshme.