Rritja e rasteve me Covid-19 brenda radhëve të arsimtarëve, vijon të jetë mjaft delikate në qarkun e Dibrës.
Tendenca duket se është që koronavirusi të hyjë edhe nëpër shkolla, pas prekjes së bluzave të bardha tashmë. Deri tani Bulqiza është një ndër vatrat e nxehta ku personeli arsimor po infektohet me virusin korona.
Pas daljes pozitiv pak kohë më parë të rezultateve të tamponëve të 5 mësuesve të shkollës “Shefqet Tançi” në Bulqizë, së fundmi nga armata e mësuesve të kësaj bashkie kanë rezultuar pozitiv edhe 3 mësues të tjerë.
Bëhet fjalë për dy mësues të gjimnazit të Bulqizës dhe një mësues i shkollës 9-vjeçare “Xhevdet Doda” të Bulqizës.
Por, si në rastin e shkollës “Shefqet Tançi”, ku mësimi nuk u ndërpre për asnjë çast, edhe në këto dy shkolla ku ka personel arsimor të investuar me Covid-19, mësimi nuk pritet të ndërpritet, pasi ZVA Bulqizë ka mësues zëvendësues në dispozicion për t’i angazhuar në të tilla situata.