Edhe Shqipëria ka hyrë në valën e dytë të pandemisë. Rastet ditore që po i afrohen shifrës 300 si dhe rrritja e shtrimeve në spital tregojnë për një situatë serioze nga përhapja e virusit.
Për Skënder Bratajn, këto nivele infektimi ishin të pritshme pas hapjes së shkollave: “Në këtë periudhë ishte normale që do të kishte rritje të rasteve për shkak të hapjes së shkollave, për arsye të ftohjes së motit dhe ndryshimit të kushteve ambientale. Këto janë në favor të virusit në këto momente”.
Por, ky është vetëm fillimi i valës së dytë. Shefi i Urgjencës Kombëtare parashikon përkeqësim të situatës dhe nevojën për aplikimin e masave të tjera shtrënguese. Nuk bëhet fjalë për një mbyllje tjetër, thotë Brataj, por masa kufizuese ashtu siç po aplikohen në vendet e tjera.
“Gjendja dhe numrat do të rriten akoma sepse infeksioni është përhapur shumë. Siç po vepron gjithë bota, edhe Shqipëria nuk ngelet mbrapa, po diskutohen të gjitha masat kufizuese që nuk çojnë në mbyllje të plotë. Nuk e dimë ende, nuk është vendosur për masa të tjera”, tha Brataj.