Prej disa kohësh Shqipëria zien nga thashethemet se kush do të jetë presidenti i ri, pasi Ilir Metës i mbaron mandati në korrik dhe për të nuk të ketë më një mandat të dytë.Deri më tani kemi dëgjuar emrat e disa personazheve publik që janë vetëofruar për postin e presidentit si historiania Elena Kocaqi, ambientalisti Sazan Guri apo dhe personazhe komikë si Genard Hajdini etj.
Nga burime brenda grupit parlamentar të PS, sot kanë dalë disa nga emrat e propozuar për postin e presidentit të Republikës. Lajmi raportohet nga gazetari Bledi Mane. Një prej emrave më të kuotuar në procesin e propozimeve në PS-së është ai i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare, Bajram Begaj, i cili shihet njeriu ideal për një post të tillë si ai i presidentit.Begaj ka gradën madhore “Gjeneral Major” është “Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes” dhe ka hyrë në historinë e FA, si mjeku i parë në ushtri i cili arrin që të bëhet gjeneral major, e cila është grada më e lartë.
Gjeneral Major Bajram Begaj, ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998. Ai gjithashtu ka përfunduar ‘Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë’, ndërsa mban edhe titullin ‘Profesor i Asociuar’ në Mjekësi.Ai e mori detyrën e shefit të Shtabit në 2020 dhe para kësaj ka mbajtur një sërë detyrash mes të cilave: Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor, etj. Ai është i martuar dhe baba dy fëmijëve.