Një debat i madh është hapur për çështjen e lejimit të shamisë në objektet arsimore. E gjitha filloi pas kërkesës së Durim Berishës, ish-këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, për shfuqizimin e udhëzimit administrativ që ndalon uniformën fetare në shkolla.
Por, aktualisht asnjë vajze me mbulesë nuk i mohohet shkollimi, përkundër ndalesës ligjore. Pas kërkesës së juristit Berisha, filloi një kampanjë në rrjete sociale, që tashmë ka hyrë në ditën e dhjetë.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, e ka cilësuar të padrejtë urdhrin administrativ që nuk i lejon vajzat të bartin shami në shkollë.
Balje në një intervistë për Euronews Albania, ka thënë se për vajzat myslimane, shamia është mënyrë jetese. “Feja në islam nuk bëhet me dhunë dhe presion, për ta është diçka normale.
Ata nuk dinë të jetojnë pa shami, në fund të ditës ne kemi një fëmije që në shtëpi jeton me shami dhe ne i themi nëse do të edukohesh, duhet të heqësh shaminë”, tha Balja.
Ndryshe, Durim Berisha, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka nisur kampanjën përmes së cilës po kërkon shfuqizimin e urdhrit administrativ që i mohon të drejtën e shkollimit nxënësve që mbajnë shami. /Nacionale.com