E ëma Prendusha dhe dy vajzat Sidorela e Emiljana Kola, u gjetën pa shenja jete në banesë. Pikënisja e tragjedisë ka qenë momenti kur njëra prej vajzave ra në kontakt me rrymën teksa ndodhej në dush.
Nëna dhe vajzat tjetër kanë nxituar t’i japin ndihmën e parë, por fatkeqësisht kanë humbur jetën edhe ato.
Fqinjët shprehen se familja ishte e varfër, ndërsa punonte vetëm e ema për të mbajtur fëmijët, ndërsa bashkëshorti ishte i papunë. Prendusha Kola ishte nënë e 4 fëmijëve, dy vajza dhe dy djem të mitur, të cilët nuk ndodheshin në banesë në momentin e tragjedisë.
“Kanë qenë njerëz të mirë, familje e mirë. Gruaja punonte. Kanë qenë të varfër, të lodhur kanë qenë. Shtëpi, si shtëpitë e fshatit, aty i kanë. Kanë ardhur këtu tek pallatet e shtetit, të lodhur janë. Ka lënë dy djem dhe burrin. Djemtë janë të vegjël”, thotë një banore.
“Boll njerëz të urtë. Familje me halle, por të mrekullueshëm. Duke jetuar me gjak të zemrës. Kanë dhe dy djem”, tha një tjetër banore.
Njëra prej vajzave që humbi jetën mësohet se ishte studente në Universitetin e Durrësit.