Lajme

Dhimbje e madhe/ Rrëfehet nëna e avokatit Ravik Gurra: Ja kush ia mori jetën djalit tim

Nga Klodiana Lala/Bujon me flokët e zbardhur më së shumti nga dhimbja e gjejmë në katin e dytë të shtëpisë në zemër të Elbasanit. Kështu e kanë thirrur që fëmijë e kështu e thërrasin, sa herë dikush troket në derën e saj.

Jeton e vetme, që prej ditës kur djali i saj, avokati i njohur Ravik Gurra u ekzekutua në një atentat mafioz në mes të qytetit, teksa pinte kafe me një të njohur, zyrtar në bashki.

“Aty jeton një zonjë e moshuar. Trokit se do dalë, por me pak vonesë”, më thotë një zotëri. Trokit disa herë – shton ai – se besoj do dalë.

Hap derën me ngadalë dhe marr shkallët deri në katin e dytë. Trokas dhe pres të më përgjigjen. Pas disa minutash shfaqet gruaja trup imët. E pakur. E veshur me të zeza nga koka te këmbët. Kemi përballë Nurie Gurrën, nënën e avokatit 50-vjeçar Ravik Gurra.

“Ma mbyllën jetën. U shemb çdo gjë për mua. Më kanë vrarë zemrën. Raviku nuk e meritonte këtë”, rrëfen mes lotësh 78-vjeçarja. Sikur e parandjeva dramën e madhe – thotë ajo – sepse javën e fundit para se Ravikun të ma vr isnin, nuk ngrihesha dot nga krevati.

“Raviku më dha shurup e lëng me lugë të vogël gjatë gjithë asaj jave. Edhe para se të dilte e të mos kthehej më kurrë”, tregon Nuria.

“Bëri dhe byrek djali, më tha do dal e kthehem shpejt”, kujton mes lotësh.

Raviku, babai i dy vajzave, nuk u kthye më i gjallë në shtëpinë e tij. Në atë shtëpi të mobiluar thjeshtë, por të zbukuar nga librat dhe fotot. Një shtëpi bibliotekë. Teksa pinte kafe në një lokal pranë Turizmit në Elbasan, ai u qëllua për vdekje. Errësira e ndihmoi autorin të zhdukej pa gjurmë. Kanë kaluar më shumë se 3 vite që prej ngjarjes së rëndë, por ende nuk ka një të akuzuar për ekzekutimin e njeriut të drejtësisë.

Lajmi i kobshëm

Si e mësove lajmin zonja Nurie? E pyes me qetësi. Nuk dua ta lëndoj. “Më mori një shoqe. Më pyeti si isha? Mesa duket e kuptoi që nuk dija gjë për vrasjen dhe e mbylli telefonatën. Pastaj më morën nga Anglia. Vajza, nusja. Qanin me të madhe”, kujton Nuria. Ajo kujton se pa sjellë ende në shtëpi trupin e pajetë të birit të vetëm, policia erdhi dhe ktheu gjithçka përmbys. “Kërkonin dosjet e Ravikut, jo vrasësit në lumin e Zaranikës”, thotë disi me ton nervoz e moshuara.

Gruaja ka bërë një jetë të qetë, deri mbrëmjen kur breshëria e armëve prishi qetësinë e qytetit. Me orgjinë te hershme nga Gjakova, familja e saj u shpërngul herët në Elbasan, ku lindi Nuria, motrat e vëllai. Aty u njoh me babain e Ravikut, i cili ishte shkolluar në Moskë. Ndërsa, Nuria në Shkollën ‘Harry Fultz’. “Kam punuar në postë –telegram. Rritëm me shumë vështirësi, vajzën e djalin. Hiqnim bukën e gojës e blinim libra. Ja siç e sheh, një mal me libra”, thekson ajo. Në duar gruaja mban çdo shënim të lënë nga i biri. I ruan si gjënë më të shtrenjtë. “Janë shënimet e tij. I mbaj në duar. Vështroj dhe fotot. Ja tek njëra kam vënë abazhur. E lë ndezur. S’dua të flejë djali pa dritë”, ofshan.

Thirrja për drejtësi

“Nuk di kush ma vrau Ravikun. Ai si bënte keq askujt. Shteti duhet të ma gjejë. Duhet të më thonë kush e vrau dhe përse? Djali im se meritonte. Ai jetoi mes librave. Pëlqente të udhëtonte. Do ikte në udhëtim me disa miq, por ma vranë”, klith gruaja.

E moshuara e ka mësuar se dosja ndodhet në SPAK, e pret nga ky institucion t’i thotë emrin e vrasësit të birit.

“Raviku nuk fliste kurrë për punën e tij. Ai e donte atë punë. Këtu flitet shumë për motivet e vrasjes. Dëgjoj dhe emra politikanësh. Por unë dua të vërtetën. Janë mbushur 3 vjet”, shprehet Nuria.

Ajo është e vendosur për të qëndruar e vetme në atë shtëpi, me shpresën se drejtësia do të vihet për djalin. “Vajza dhe gruaja e Ravikut me kërkojnë që të shkoj në Angli. Por nuk iki. Nuk mund ti kthej shpinën. Shkoj te varri, i çoj lule. Nuk mund ta lë djalin vetëm”, shprehet nëna e avokatit.

Prokuroria e Posaçme thotë se po heton në disa pista për vrasjen e avokatit Gurra, njëra prej të cilave, ajo për shkak të profesionit të tij. Ravik Gurra, u largua në vitin 1990 nga Shqipëria dhe u vendos në Britaninë e Madhe bashkë me gruan, ku pas disa vitesh fituan shtetësinë britanike. Vitet e fundit ishte kthyer në Shqipëri dhe po mbronte përballë drejtësisë disa nga emrat më të njohur të botës së krimit, pjesëtarët e fisit Çapja apo Emiljano Shullazin. “Dosjet e Ravikut i morën, por vrasësin se gjeti shteti” – thotë Nuria – teksa këmbëngul se e vërteta duhet të zbardhet.

A të rrëfej një histori zonja Nurie? – i them qetësisht. Ka lidhje me Ravikun? – më pyet. Po- është përgjigja ime.

“Në një nga seancat e procesit të Emiljano Shullazit mbajta shënime me stilografin e Ravikut. Në 10 minuta stilografi më ra tri here nga duart. Ai u mërzit shumë, por nuk u ankua. Kur dolëm nga gjyqi folem gjate. Mes te tjerash me qetesine e tij më tha: dua ta pleqëroj duke ushqyer pulat e lexuar Shekspirin”. Me degjoi në heshtje. Lotët i rrodhën nëpër faqe.

“E donte shumë jetën, por se lanë të jetonte”, tha më gjysmë zëri. Me zërin lutës të një nëne që pret me sytë nga shteti që ti japë ndëshkim njeriut që tërhoqi këmbëzën dhe i mori jetën e birit të vetëm. Zbresim të dyja shkallët. Më përcjell. Largohem duke lënë pas një nënë me zemër të plagosur, që mbase do të mbyllë sytë përjetë pa parë të bëhet drejtësi.

MË TË LEXUARAT

To Top