Rozë

Diva e kinemasë! Irene Papas, aktorja e madhe greke që e pranoi se kishte origjinë shqiptare

Kur kemi parë skenat e filmit të njohur Odissea me aktorin Bekim Fehmiu në rolin kryesor, nuk e kemi ditur që aty luanin dy shqiptarë dhe ky nuk është një fakt i panjohur, por ja që është risjellë në vëmendje këto ditë dhe përhapet sikur të ishte i tillë.

Irene Papas, aktorja e njohur greke për rolin e Penelopës, por edhe shumë karaktere të tjerë të dramaturgjisë së pasur greke, si Klitemnestra, Elektra, Antigona, Helena e Trojës, ka pranuar në një intervistë vite më parë që i ati ka qenë shqiptar.

Ajo vetë ka lindur në një fshat të Korinthit në Peleponez në vitin 1926 si Irene Leleku nga një mama mësuese dhe një baba mësues i dramës klasike me origjinë shqiptare. “Nëna ime është esmere si unë. Ajo vjen nga Epiri, ndërsa im atë vinte sipas gjasave nga Shqipëria. Ndoshta jam shqiptare, ose gjysmë shqiptare. Peloponezi është përplot me shqiptarë”, ka thënë ajo në një intervistë.

Papas është mbiemri i bashkëshortit me të cilin u nda pas katër vitesh martesë kur ishte vetëm 21 vjeçe, Alkis Papas.

Ajo ka mbi 90 role në kinema dhe teatër dhe është ndër aktoret më të rëndësishme të Greqisë e njohur ndërkombëtarisht. Ajo është pjesë e pandarë e lavdisë së kinematografisë dhe dramës greke. Papas ka interpretuar në filmin “Zorba the Greek”(1964) dhe dallohet për filmin “Mesazhi” në vitin 1976 kushtuar profetit Muhamed, me Anthony Quinn.

Në moshën 90 vjeçare, aktorja është anëtare e bordit të drejtorëve të fondacionit Anna Maire të anëtërëve të familjes mbretërore greke.

MË TË LEXUARAT

To Top