Amici, një produksion artistik që i ka mirëpritur prej vitesh shqiptarët e talentuar, tani do të mbërrijë në Shqipëri. Burime për Anabel.al bëjnë me dije se producentja dhe moderatorja Alketa Vejsiu ka marrë patentën e programit të famshëm italian.
Po të njëjtat burime zbulojnë se produksioni ka nisur nga puna për ndërtimin e të gjitha strukturave që e bëjnë Amici-n një akademi. Për momentin, është e paqartë se kur do të fillojë talent show.
I njohur fillimisht si “Saranno famosi”, “Amici” është talent show më i gjatë në televizionin italian. I konceptuar dhe drejtuar nga Maria De Filippi, “Amici” u transmetua për herë të parë në vitin 2001. “Amici” është një shkollë, në formën e akademisë, për të gjithë të rinjtë që aspirojnë të bëhen balerinë profesionistë, këngëtarë, muzikantë etj. Konkurrentët ndjekin mësime të lëndëve të ndryshme, filmohen nga kamerat dhe qëndrojnë në një godinë të posaçme.
Siç e thamë edhe në hyrje të artikullit, programi ka qenë gjithmonë mikpritës për talentet me origjinë shqiptare, ku përmendim këtu Kledi Kadiun i cili u bë pjesë e “Amici” si balerin profesionist në vitin 2001 dhe më pas kaloi si mësues baleti;
balerina Anbeta Toromani konkurroi në program në sezonin 2002-2003 dhe u rendit e dyta në finale si edhe vijoi më vonë të ishte pjesë e trupës së balerinëve profesionistë; në sezonin 2003-2004 balerini shqiptar Leon Cino u shpall fitues; një vit më vonë,
balerini Klajdi Selimi u rendit i treti; Klaudia Pepa preku finalen në sezonin 2014-2015; Ilir Shaqiri ka marrë pjesë në “Amici” si balerin profesionist; këngëtarët Ermal Meta dhe Anna Oxa (Ana Hoxha) kanë qenë pjesë e paneleve të jurisë. /Burimi: Anabel