Amerika është ëndrra e shumë shqiptarëve që çdo vit nxitojnë që të bëjnë lotarinë për të shkuar në vendin e mundësive.
Rreth 91 mijë shqiptarë jetonin në Shtetet e bashkuara të Amerikës deri në fund të vitit 2018, sipas statistikave të publikuara nga Pew Research center, një institut kërkimor në SHBA, që ka publikuar të dhënat për popullsinë e lindur jashtë, që jeton në SHBA.
Nga rajoni, numri më i lartë i shtetasve që jetojnë në SHBA i përket Bosnjë Hercegovinës, me rreth 107 mijë persona. Shqiptarët dhe boshnjakët rezultojnë me prirjen më të lartë për jetuar në SHBA. Nga Bosnjë Hercegovina fluksi i ikjeve ka qenë i lartë në periudhën 1990-2000, për shkak të ko nflikteve me shtetet fqinjë. Ndërsa nga Shqipëria, ikja drejt SHBA-ve vijon me ritme të larta, e konstatuar nga numri i lartë i aplikimeve çdo vit për Lotarinë Amerikane.
Nga Serbia janë 32 mijë persona që jetojnë në SHBA, nga Maqedonia 25.6 mijë persona, nga Mali i Zi 11.8 mijë dhe nga Kosova 10.4 mijë.
Edhe në raport me popullsinë përkatëse, Bosnjë Hercegovina (32.3 mijë për 1 milionë banorë) dhe Shqipëria (32 mijë për 1 milion banorë) mbajnë rekordin në Europë për numrin e lartë të shtetasve të lindura në vendet përkatëse, por që jetojnë në SHBA, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor, të ndjekura nga Islanda, Mali i Zi, Portugalia, Maqedonia, Greqia
Në vlerë absolute rekordin e mbajnë polakët, me 400 mijë persona që jetojnë në SHBA, të ndjekur nga britanikët (340 mijë) dhe italianët (320 mijë), por që në raport me popullsinë, pesha e tyre është shumë më e ulët (shiko grafikun).
Sipas Pew Research Center, Shtetet e Bashkuara kanë më shumë emigrantë se çdo vend tjetër në botë. Sot, më shumë se 40 milion njerëz që jetojnë në SH.B.A. kanë lindur në një vend tjetër, duke përbërë rreth një të pestën e migrantëve në botë. Popullsia e imigrantëve është gjithashtu shumë e larmishme, me pothuajse çdo vend në botë të përfaqësuar midis emigrantëve të Sh.B.A.