Ky është një artikull për të gjithë dashamirësit e përgatitjes së picës në shtëpi në kushtet më të mira të higjenës dhe mbi të gjitha shëndetshëm.
Këtu do të mësoni si të përgatisni brumin e picës në vetëm pesë minuta dhe ta keni gati për mbushje dhe pjekje në furrë.
Receta e brumit të picës përfshin kosin e holluar dhe jo të trashë.
Përbërësit:
250 gramë filxhan kos të hollë
600 gramë miell
10 gramë pluhur pjekës
5 lugë gjelle vaj vegjetal
Gjysmë luge çaji kripë
Përgatitja:
Në një tas të madh brumi hidhni miellin, kosin e holluar, pluhurin pjekës, vajin dhe kripën.
Përziejini mirë, mundësisht në një mikser brumi, për disa minuta dhe më pas jepini formën rrumbullake.
Kalojeni brumin në banak dhe përhapeni duke fërkuar duart me pak miell.
Mundohuni të krijoni fetën e hollë të picës me pjesët anësore pakëz më të trasha.
Sipas dëshirës, picën mund ta pasuroni me produktet tuaja të preferuara siç është djathi, salca e domates, sallami, ullinjtë, suxhuku, specat, domatet e gjithçka tjetër ju do zemra.
Ndizeni furrën në temperaturën maksimale.
Rregulli i artë është që sa më e nxehtë të jetë furra, aq më e shijshme do të dalë pica.
Në 10 minutat e para në furrë, pica duhet pjekur në temperaturën më të lartë.
Më pas ajo duhet ulur në 200 gradë dhe pica duhet lejuar të piqet për 10 minuta të tjera.
Gjatë pjekjes kontrollojeni picën në mënyrë që ajo të piqet në mënyrë të njëtrajtshme.
Për të mundësuar këtë, ju mund ta rrotulloni picën në mënyrë që ana e papjekur të ekspozohet më shumë ndaj nxehtësisë.
Pica konsiderohet e bërë kur korja e saj është e pjekur por edhe djathi është shkrirë duke marrë një nuancë të lehtë kafeje.
Pasi ta keni hequr nga zjarri, prisni të ftohet pak për disa sekonda dhe më pas priteni në feta dhe servireni.