Donald Veshaj lexoi një letër gjatë emisionit “Më lër të flas”, të cilën ia pati shkruar Agron Llakajt kur ishte në Big Brother VIP. Ishte një letër emocionuese dhe e bukur. Na pëlqeu. Duke lexuar atë letër, reflektuam pak dhe na erdhi një mendim.
Njeriu të cilit Donaldi duhej t’i shkruante një letër është Bora Zemani, jo Agron Llakaj. Po, sepse Bora e bëri kaq të famshëm dhe ai e di këtë. Nëse Donaldi do i shkruante një letër para nisjes së emisionit të tij të ri, teksti do ishte i tillë, si më poshtë. Kujdes, duhet ta kuptoni se është një krijim, por duke lexuar rreshtat do e kuptoni se është një letër objektivisht e saktë dhe e qartë. Madje, ndoshta vetë Donaldi do i bëjë ‘copy-paste’ dhe do ia dërgojë vërtet Borës.“E dashur Bora! Doja të të kërkoja të falur për tradhtinë publike që të bëra në shtëpinë e Big Brother VIP. Jam penduar shumë. Jo se kam ndonjë gjë me ty, por Beatrix ma futi.
Ajo shkoi në Dubai pak ditë para finales, kur duhej të më kishte mbështetur. Opinionistja e programit tha se Beatrix kishte shkuar me të dashurin e saj në Dubai, jo me familjen. Nejse, nuk është ndonjë sekret i madh. Nuk prisja që Beatrix të hynte beqare në Big Brother.Bora, dua të të propozoj një marrëveshje. Nuk pretendoj të kthehemi më bashkë, se ti ke hallet e tua apo lidhjet e tua. Patën dalë ca foto që je lidhur me Atdheun. Nuk ka problem. Nuk jam xheloz. Halli im i vetëm është që të mos humbim kohë. I ke vënë re personazhet e Big Brother VIP, që tani nuk i njeh askush dhe nuk i përmend askush? Aq ishte fama dhe unë dua ta shmang këtë. Jam ende në kohë, derisa të harrohem fare.Dua që ti të më lejosh të përdor emrin tënd sa herë të më dojë qejfi. Më duhesh. Mendoj se edhe unë të duhem ty. Mos harro se 1 milion ndjekësit në Instagram prej meje i ke. Besoj se je e vetëdijshme për këtë. Unë të tradhtova, ama ti bëre 1 milion ndjekës.
Jemi 50-50. Tani është momenti për hapin e dytë.Në fillim refuzova ta bëj emisionin në Top Channel me vëllain, por ndryshova mendim. Ai emision më duhet për të fituar ca lekë dhe për të ruajtur famën time. Më duhet ta mbaj Instagramin gjallë dhe në seritë e para më duhesh ti. Të lutem, binde edhe Semin të flasë bukur për mua, të bëjë një këngë të dytë për mua dhe të më vijë në emision.Unë do porosis vëllain tim dhe të ftuarit e mi, që sa herë të vijnë në emision, të më pyesin për ty. Unë gjithashtu do të të imitoj ty në grimcat e mia humoristike. Nuk kam rrugë tjetër. Unë ha bukë me ty dhe ti ha bukë me mua. E kanë bërë edhe vipa të tjerë në vende të huaja. Pra, nuk është ndonjë shpikje dhe askush nuk na akuzon.E di, Bora. Të tradhtova dhe nuk u solla mirë me ty, por nuk është se ti je ndonjë shenjtore. I di vetë gjërat.
Lidhja jonë nuk funksionoi, por sugjeroj që ta zgjasim nja 6 muaj si shokë dhe pastaj të puthemi diku në ndonjë vend publik. Të premtoj se do funksionojë. Kjo është fama, përndryshe na harrojnë. Mendohu mirë. Nëse je dakord, viti 2022 do të na shkojë mbarë.Të përqafoj. Mundësisht me ndonjë kamera afër. Pres një përgjigje. Kalofsh mirë!”