Javën e kaluar, me shumë zhurmë u zyrtarizua në Top Channel mbyllja e “Top Story” në formatin ekzistues.
Të premten, u konfirmua edhe largimi i Eni Vasilit dhe emisionit të saj qendror politik “Open”, pas kthimit të Sokol Ballës. Por, largimet e zëvendësimet nuk mbarojnë me kaq!
Në një situatë që duket me efekt domino, rrugët me televizionin i ka ndarë edhe një prej prezantueseve të reja premtuese, Sidorela Gjoni.
Gjoni që dikur punonte në DigitAlb, spikati shpejt si gazetare terreni në lidhjet direkte për artikulimin dhe aftësitë e saj gjurmuese të lajmit veçanërisht gjatë tërmetit dhe pandemisë.
Si e tillë, ajo u shndërrua në fytyrën kryesore të Top News duke drejtuar disa emisione, përfshirë programin e përditshëm maratonë “Breaking” nga prilli i vitit të kaluar. E një javë pa i bërë një vit, edhe Sidorela është larguar.
Prezantimi i saj i fundit i “Breaking” ka qenë të hënën e kaluar, teksa sot “Breaking” ka nisur me prezantuese të re, Elisa Gjeranin dhe termin të ri të reduktuar, nga ora 09:00 deri në 12:00.
Për faktin se një javë programi mbeti pa drejtim, largimi duket të ketë qenë i befasishëm dhe me gjasë, me tension.