Një finaliste e Miss Anglisë është bërë mbretëresha e parë e bukurisë që konkurron pa grim në historinë gati shekullore të konkursit. Melisa Raouf, një studente kolegji 20-vjeçare nga Londra jugore, shkoi në gjysmëfinalen të hënën pasi zgjodhi një pamje pa makeup.
Tani, ajo do të garojë në finale këtë tetor për kurorën e Missit. “Kjo do të thotë shumë për mua pasi ndjej se shumë vajza të moshave të ndryshme përdorin grim sepse ndihen nën presion për ta bërë këtë”, tha Raouf në një intervistë për Independent.
Raouf tha se, megjithëse filloi të grimohej në moshë të re, ajo vendosi t’i shmangej traditës për konkursin. “Nëse dikush është i lumtur me lëkurën e tij, ne nuk duhet të detyrohemi të mbulojmë fytyrën me grim. Të metat tona na bëjnë ata që jemi dhe kjo është ajo që e bën çdo individ unik,” shtoi ajo.
Në maj, Raouf postoi një selfie në Instagram nga raundi i “fytyrës së zhveshur” të konkursit, duke shkruar se ajo “po përqafonte njollat dhe papërsosmëritë”.
“Kurrë nuk kam ndjerë se i kam përmbushur standardet e bukurisë. Së fundmi kam pranuar që jam e bukur në lëkurën time dhe për këtë arsye vendosa të konkurroj pa grim”, ka shpjeguar ajo në intervistë.
Angie Beasley, drejtoresha e Miss Anglia, i tha CNN në një deklaratë të premten: “Ne prezantuam raundin e modelit “Bare Face Top Model” në 2019 pasi shumica e konkurrentëve po dërgonin imazhe të modifikuara me shumë grim dhe ne donim të shihnim personin e vërtetë pas grimit.”