Beatrix Ramosaj la shtëpinë e Big Brother të premten e kaluar dhe prej atëherë ka shmangur çdo dalje e reagim publik. Supozohej të ishte e pranishme në Fun Club të dielën, por Dojna shpjegoi se për shkak të gjendjes së rënduar emocionale, këngëtarja kishte nevojë edhe për pak kohë larg përballjes me publikun.
Pak më parë, Beatrix ka reaguar në profilin e saj në Instagram, ku ka shpjeguar situatën në të cilën ndodhet.
“Dua ta nis këtë shkrim me një falënderim për të gjithë ju që më falni ngrohtësi dhe jeni interesuar mbi gjendjen time. Nuk do gënjej, jo çdo gjë është fushë me lule, tranzicioni në jetën reale sigurisht ka vështirësi, por kam fatin të jem pjesëtare e një familjeje që më gjendet pranë për çdo moment dobësie përgjatë përshtatjes.
Ju kërkoj ndjesë për lënien pas dore të rrjeteve sociale, shfaqjeve televizive dhe mospërgjigjen e mesazheve, por realisht kam nevojë edhe për pak kohë që të rigjej gravitetin tim. Mund t’ju tregoj që përgjatë këtyre ditëve, terapia ime ka qenë pasioni dhe arsyeja përse unë jetoj, muzika. Po hedh çdo mendim dhe ndjenjë në letër dhe nota. E di që Monika dhe Arjola do jenë shumë të lumtura kur ta marrin vesh,” -ka shkruar Beatrix me shaka.
Ajo gjithashtu ka thënë dy fjalë edhe për lidhjen me Donaldin, të cilin do të vazhdojë ta mbështesë.
“Donaldin po e ndjek nga jashtë. E kam suportuar, do jem tifozja e tij e parë dhe siç e thashë, i qëndroj mendimit që ai duhet ta fitojë BBV. Për sa i përket marrëdhënies sonë, kam lexuar pak si është parë nga jashtë. I kuptoj dhe ata që kanë qenë pro, edhe deri diku ata kundër – duke qenë se marrëdhënia jonë ka lindur pastër në një show ku ndjekësit janë lidhur me protagonistët dhe mendojnë se kanë të drejtën e opinionit dhe gjykimit mbi të gjithë ne brenda apo jashtë shtëpisë. Sot është dita ime e katërt jashtë asaj shtëpie dhe nëse Donaldi do ma zgjaste dorën që të hidheshim bashkë, do e bëja po prapë. Bekime dhe dashuri për të gjithë ju!”