Në Shqipëri thuhet shpesh se të rinjtë nuk kanë dëshirë për të punuar dhe janë brez përtac, pasi e duan cdo gjë gati nga prindërit e tyre, por jo gjithmonë është kështu.
Ervini Bakeri është 18-vjeç dhe nuk ka kohë për të humbur. Që në mëngjes e takojmë teksa mban çantën e punës, rrugës për në një apartament ku do kryejë riparimet hidraulike.
I ati, një zanatçi i njohur në Berat e ka marrë me vete të birin që kur ishte një fëmijë i vogël fare, vetëm 3 vjeç. Ndërsa që në moshën 14-vjeçare Ervini ka marrë çelësat e punës në dorë dhe është tashmë një profesionist i vërtetë.
“Që në moshën të vogël! Ka 3-4 vite që e ushtroj dhe vetë. E kam përfituar nga babai, por e ushtroj dhe vete e kam marrë certifikatën për hidraulik. Zakonisht më marrin klientet ne telefon dhe shkoj kryer riparime. Është shumë e bukur të punosh kur e ke me pasion nëse nuk e ke është e vështirë. Po të rrish në kafe domosdo s’ke të ardhura dhe do kërkosh nga të tjerët”, tregon Ervini.
Adoleshenti nga Berati ka ëndrra të mëdha, ai ëndërron dhe shpreson të bëhet sipërmarrës në fushën e punimeve hidraulike brenda ose jashtë vendit.
“Synimi im është të vazhdoj profesionin në vendin tim e hidraulikut të krijoj një skuadër pune ose këtu ose jashtë vendit”, rrëfen ai. Përvec punës si hidraulik, ai në tetor do të nis studimet e larta në degën e infermierisë.